SPORT, 25 Shtator 2021, 15:16

Barcelonës i kthehet numri 10, gati për sfidën ndaj Levantes!

Barcelonës i kthehet numri 10, gati për sfidën ndaj Levantes!

Në një moment shumë delikat pas dy barazimesh radhazi në La Liga ndaj Granadas dhe Cadiz ndërsa në mes është edhe ajo humbje 0-3 ndaj Bayernit, rezultate që kanë vendosur në dyshim të ardhmen e trajnerit Ronald Koeman në stolin e Barcelonës, tekniku holandez ka marrë më në fund një lajm të mirë.

Barcelona gjatë kësaj periudhe ka vuajtur shumë sidomos në repartin e avancuar ku në tri ndeshje ka shënuar vetëm një gol, kjo edhe për shkak të dëmtimeve të emrave me peshë në sulm si Aguero, Dembele, Braithwaite dhe Ansu Fati. Pikërisht me këtë të fundit ka të bëjë lajmi i mirë pasi talenti me origjinë nga Guinea Bissau por që ka zgjedhur të përfaqësojë Spanjën është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i rëndë që e ka mbajtur jashtë fushave të futbollit për më shumë se 10 muaj, teksa nuk shkel në fushë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Fati i cili ka marrë te Barcelona edhe trashëgiminë e numrit 10 që mbeti i lirë nga largimi i Lionel Messit te Paris Saint Germain, është një element tek i cili drejtuesit e Barçës dhe trajneri Koeman besojnë shumë. Duke iu referuar raportimeve të gazetës katalanase MundoDeportivo e cila ka menduar të ngrohë disi zemrat e tifozëve të Barçës në këtë moment delikat, Ansu Fati mund të aktivizohet si zëvendësues në sfidën e së dielës ndaj Levantes dhe mund të luajë për të paktën 20 minuta. Ansu Fati rikthehet kështu në një moment shumë kritik për klubin blaugrana që nuk arrin rezultatet e kërkuara dhe ka problem të mëdha ekonomike, si shpresa e madhe për ringjalljen e Barcelonës, edhe pse ndaj Levantes që të presim ndonjë mrekulli nga numri 10 do të jetë shumë e vështirë.