BALLKAN, 1 Janar 2023, 12:53

“Vuçiçit po i bëhet presion!”, ministri serb: Në janar presim që një tjetër shtet të tërheqë njohjen për Kosovën

“Vuçiçit po i bëhet presion!”, ministri serb:

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar sot se një nga prioritetet në Vitin e Ri do të jetë vazhdimi i politikës lidhur me tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

“Ne presim që në javët e para të këtij viti të ketë një shtet të dhjetë që do ta tërheqë njohjen, të cilën nuk e kemi shpallur”, tha Daçiç për TV Prva.

Ai tha se janë shpallur 18 vende që kanë tërhequr njohjen dhe deri më tani janë nëntë që nuk janë publikuar emrat e tyre, pra ky do të ishte i dhjeti.

“Sigurisht që nuk do ta zgjidhë problemin, por krijon njëfarë pavarësie politike, në mënyrë që të mos varemi nga fuqitë e mëdha”, tha ai, ndërsa shtoi se nëse çështja e Kosovës del para OKB-së, ajo mund të ndalet në Këshillin e Sigurimit dhe se nuk mund të votohet në Asamblenë e Përgjithshme, pasi kërkohet një shumicë prej dy të tretash dhe Kosova mund të marrë 83 vota.

Daçiç tha se për këtë po i bëhet presion presidentit Aleksandër Vuçiç, ndërsa theksoi se problemi më i madh i Serbisë është me Europën, sepse aty Kosova është njohur nga shumë shtete.

Ministri serb tha se vendi i tij i ka varur shpresat tek Islanda, e cila është kryetare e Këshillit të Evropës, në përpjekje që pritja e Prishtinës të mos vihet në agjendën e asaj organizate.