BALLKAN, 13 Janar 2023, 14:30

Vuçiç i “qan hallin” Kosovës: S’di si do e bëjnë Asociacionin, bie ndesh me Kushtetutën e tyre

Vuçiç i “qan hallin” Kosovës: S’di si do e

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një prononcim për gazetarë ka thënë se tashmë është plotësisht e qartë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të formohet, por se ai “nuk e di se si Prishtina synon të formojë Asociacionin me insistimin në përputhjen e kësaj çështjeje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Kur ju insistoni që diçka duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e të ashtuquajturës Kosovë, atëherë lind pyetja se çfarë kemi negociuar në radhë të parë. Ne i kemi zhvilluar negociatat pikërisht sepse e dimë se nuk është aspak e mundur të arrihet kjo në përputhje me aktet ligjore dhe legjislacionin e njërit, tjetrit apo një të treti”, tha Vuçiq duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Ai shtoi se i ka përcjellë edhe të dërguarit amerikan, Derek Chollet, i cili ishte dje në Beograd, se nuk e ka të qartë se si Prishtina mendon se po e themelon Asociacionin mbi parimin e përshtatshmërisë me Kushtetutën.

Vuçiç shtoi se i është mirënjohës delegacionit amerikan “që gjatë vizitës në Prishtinë insistoi në zbatimin e marrëveshjeve të akorduara”.

Presidenti serb u tha gazetarëve pas ndarjes së çmimeve për foton më të mirë se dje ka diskutuar edhe për të ashtuquajturin propozim franko-gjerman me delegacionin amerikan.

Megjithatë, ka deklaruar se takimi më i rëndësishëm sa i përket këtij propozimi do të jetë këtë muaj me datën 20 me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Kosovën, Miroslav Lajçak.