BALLKAN, 21 Gusht 2023, 20:36

Von der Leyen zbulon çfarë i tha Kurtit dhe Vuçiç në Athinë

Von der Leyen zbulon çfarë i tha Kurtit dhe Vuçiç

Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen e pranishme në Samitin e organizuar në Athinë është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Teksa ka ndarë në rrjete sociale pamje të momenteve të takimit me liderët e Prishtinës dhe Beogradit, ajo ka zbuluar se është diskutuar edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Presidentja e KE-së ka kërkuar nga Vuçiç dhe Kurti që të punojnë për të normalizuar marrëdhëniet.

“Diskutova me kryeministrin Kurti nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet në veri të Kosovës, për t’u riangazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe për të zbatuar marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është jetike që të rrëzohen barrierat në rajon dhe Ballkani Perëndimor më afër BE-së – shkroi Von der Leyen pas takimit me kreun e qeverisë së Kosovës.

Ndërsa në takimin me Vuçiç, Von der Leyen ka kërkuar angazhim konstruktiv për shtensionim të situatës në veri.

“Fola me Presidentin Vuçiç për nevojën e angazhimit konstruktiv për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. Integrimi më i ngushtë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është jetik, veçanërisht përballë luftës ruse kundër Ukrainës”, – ka shkruar ajo.

“Ne duhet t’i sjellim miqtë tanë, anëtarët aspirantë të BE-së shumë më afër nesh dhe shumë më shpejt. Gëzohem që jam në Athinë për të diskutuar perspektivën evropiane të fqinjëve dhe partnerëve tanë në Lindje dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të rrëzojmë barrierat midis rajoneve tona”, – shkruan Presidentja e KE në Twitter.

Siç dihet, në këtë takim nuk u ftua kryeministri Rama, por presidenti Begaj. Megjithatë ky i fundit nuk e pranoi ftesën me argumentin qesharak se “kishte agjendën e përcaktuar më herët”.