BALLKAN, 19 Gusht 2023, 17:23

Arrestimet në Ministrinë e Tregtisë, reagon Kurti: Nuk ka korrupsion te “rezervat”

Arrestimet në Ministrinë e Tregtisë, reagon Kurti: Nuk ka

Kryeministri Albin Kurti refuzoi të pranojë se ka korrupsion brenda strukturave drejtuese të Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, pas arrestimeve që u kryen aty të premten. Ai dha mbështetje të plotë për ministren Rozeta Hajdari.

“Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, -tha Kurti.

Kreu i qeverisë sulmoi kundërshtarët në politikë, drejtësi dhe në media se po bëjnë përpjekje për të kthyer në pushtet, sipas tij, ish-sistemin e korruptuar.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbështetje tё krimit. Edhe pse tё paktë nё numër, përfitimet e tyre kanё qenë shumëmilionëshe, andaj edhe nuk kanë se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar.”, tha ai. Tre zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë u arrestuan më 18 gusht nën akuzën e korrupsionit për abuzime me rezervat shtetërore. Vetë institucioni ka mohuar abuzimet.