BALLKAN, 1 Qershor 2023, 19:57

U lënduan gjatë përplasjeve në Veri, komandanti i KFOR viziton ushtarët italianë: Jini krenarë! Parandaluat një numër të madh viktimash civile

U lënduan gjatë përplasjeve në Veri, komandanti i KFOR

Komandantit i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia, ka vizituar sot ushtarët e lënduar italianë në kampin Villagio Italia në Pejë, ku i përgëzoi ata për punën që kishin bërë gjatë përleshjeve së 29 majit në veri të Kosovës.

“Jini krenarë për atë që keni bërë, keni vepruar në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke ndërhyrë mes dy palëve të kundërta dhe duke parandaluar një përplasje që sigurisht do të kishte çuar në një numër të madh të viktimave civile”, u tha Ristuccia ushtarëve të lënduar, sipas njoftimit të KFOR-it.

Ushtarët e lënduar italianë do të kthehen në Itali gjatë ditëve në vijim për rikuperim, sipas edhe njoftimit nga ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Ndërkohë, një ditë më parë, Ristuccia së bashku me admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, vizituan edhe ushtarët e lënduar hungarezë. Kujtojmë se më 29 maj, KFOR ndërhyri ndaj protestuesve serbë në Zveçan, pasi ata paraprakisht nuk iu bindën thirrjeve që të shpërndaheshin.