BALLKAN, 1 Shkurt 2022, 23:04

U arrestua pak përpara se të hynte në emision, lihet në burg për 48-orë burri i ish-ministres së Arsimit

U arrestua pak përpara se të hynte në emision, lihet në burg

Dardan Molliqaj, burri i ish-ministres së Arsimit Besa Shahini, kryetari i PSD-së në Kosovë, është dërguar në mbajtje për 48-orë  nga ana e policisë. Molliqaj u arrestua pak përpara futjes në një emision televiziv, lidhur me protestën e organizuar në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, të shtunën.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht Njësia e Hetimeve të Përgjithshme sot ka realizuar dy arrestime të natyrës procesorë. Arrestimi i parë u krye në orët e paradites kur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje prej 48 orësh i dyshuari; A. M, mashkull 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022. Arrestimi i dytë, u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin; D. M, mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,  për të cilin po ashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022”, thuhet në komunikatë.

Policia tregon tutje se i ka kërkuar të dyshuarit në vendbanimet e tyre, por që nuk i ka gjetur dhe u ka lënë një ftesë për paraqitje në Polici.

“Ndërkohë që policia e kishte kërkuar në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur,  të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur. Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin policor dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, përfundon komunikata.