BALLKAN, 23 Dhjetor 2023, 19:41

Trajkoviç: Kosova kishte mundësi ta arrestonte Radoiçiçin, por nuk e bëri

Trajkoviç: Kosova kishte mundësi ta arrestonte

Kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve si dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha sot se Milan Radoiçiç po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës. Trajkoviç tha se organet e sigurisë së Kosovës kanë pasur disa mundësi që ta arrestojnë kreun e grupit serb që organizoi sulmin terrorist në veri të vendit më 24 shtator, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Kosova kishte disa mundësi për të arrestuar Radoiçiçin, por nuk ia arriti. Kjo mund të ketë ndodhur pasi dëshmia e tij mund të jetë po aq e papërshtatshme për elitat politike të Kosovës sa do të ishte për atë të Serbisë”, ka shkruar Trajkoviç në platformën “X”. “Gjithçka që mbetet për të bërë tani është të nxitësh frikën dhe të ngacmosh/destabilizosh vazhdimisht komunitetin tonë”, ka shkruar ajo.

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media sot ka dhënë detaje të reja mbi sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kurti ka paralajmëruar se Serbia përmes Radoiçit po përgatit sulme të reja ndaj vendit tonë. “Radoiçiç po vazhdon përgatitjet për sulme të reja ndaj Kosovës, po mban takime sekrete në BIA. Pjesëtarë terroristë po paguhen nga dy mijë euro, ata po strehohen në objektet e tij. Planet për sulme tentojnë destabilizimin e vendit tonë. Në vend se të dorëzon terroristët, Serbia po shfrytëzon ata për sulme të reja. Terrorizimi është sfidë për ne, por nuk do të triumfojë”, tha Kurti.