BALLKAN, 11 Korrik 2023, 22:12

Reagime pas djegies së shtëpisë së një serbi në Kosovë, banorët: Rasti s’ka të bëjë me probleme ndër-etnike

Reagime pas djegies së shtëpisë së një serbi në
Shtëpia e djegur

Shtëpia e një serbi të cilit i janë dorëzuar çelësat të premten nga Qeveria e Kosovës është përfshirë nga zjarri ditën e hëne.

Banorët e fshatit Veriq në Istog tregojnë rrëfime e histori për raportet e mira që kishin me fqinjin, Svetisllav Josiq, për çka nuk besojnë se ndokush nga lagja mund ta ketë bërë këtë veprim. Edhe bashkëshortja e Svetisllavit, Vera Josiq ka pohuar se me banorët kanë raporte të mirë, prandaj nuk ka ndonjë person në të cilin dyshon për zjarrin në shtëpi.

Shtëpinë në këtë truall thotë se e kishte blerë nga serbët e kishte ndërtuar në vitet e 80-ta, ndërkaq deri në fillimin e luftës fqinj të parë e kishte një serb.

“Kanë qenë kojshi (fqinj të mirë), nuk mundem me fol keq për ta. Mirëpo për sa i përket kësaj ngjarjes që ka ndodhur, këtu unë nuk mundem me ditë edhe nuk besoj që dikush prej kojshive (fqinjëve) që e ka bërë”, ka deklaruar Xhafer Delijaj, fqinj.

Këtë raport e kishin deri në kohën e luftës, atëherë kur Josiqi u largua për në Serbi.

Vitin e fundit i njëjti po planifikonte të kthehet në fshatin Veriq në Istog, por jo gjithçka shkoj sipas planit.

Sveta siç e njohin banorët lokalë, ka qenë person liberal për çka e kanë respektuar e gjithë zona.

“Vallahi unë e kam ndje veten shumë keq, pse? a di si është një punë kur nuk ke çka me i bo kalit e i mëshon “samarit”, ajo nuk është në rregull”, ka deklaruar Delijaj.

Përpos me Xhaferin edhe disa banorë tjerë prapa kamerës thanë se me serbin që dikur e kishin fqinj nuk kanë kurrfarë problemi prandaj nuk besojnë se dikush i lagjes qëndron prapa këtij incidenti.

RTV Dukagjini ka arritur të komunikojë përmes telefonit me vet Svetisllavit por që nuk ishte i gatshëm të flasë. Çka pati të flasë ai e tha bashkëshortja Vera Josiq.

“Paj nuk e di. Ne të premten kemi pranuar çelësat dhe pastaj kjo organizata e juaj na ka thënë që të kthehemi në shtëpi në Jagodinë derisa të vijnë mobilet se nuk kishim mobile sepse vetëm dyshemeja dhe banjo ishin të rregulluara. Jo ne nuk dyshojmë, nuk e dimë. Policia e din më së mirë këtë dhe ju se kush është dhe çka. Ne nuk dyshojmë në askënd prej fqinjëve. Jo, mund t’i pyesni lirisht. Me secilin jemi mirë”, ka deklaruar Vera Josiq, pronare e shtëpisë.

Për këtë rast janë vënë në lëvizje Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Pejë.

“Policia ka nisur hetimet, por që deri më tani nuk ka të arrestuar..”, ka deklaruar Fadil Gashi, Zëdhënësi i Policisë në Pejë.

“Në vendin e ngjarjes ka elemente ku zjarrëvënia dyshohet të jetë bërë e qëllimshme, nga personi ose persona të mundshëm. Dhe për këtë çështje prokurori ka autorizuar Policinë e Kosovës që të marrë veprime konkrete”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë.

Ndonëse e braktisur qe dy dekada gjatë ditës, në këtë oborr kishte shumë vizitorë.

Ndër ta ambasadori amerikan, kryetari i komunës, Ilir Ferati dhe Ministri për Komunitete, Nenad Rashiq. Ky i fundit u zotua se projektin që e kanë nisur do ta përfundojnë.

“Ju nëse nuk keni vëllain dhe motrën është një gjë që fatkeqësisht të ndodh, por nëse nuk e keni kojshinë (fqinjin) e mirë, atëherë ju me të vërtetë jeni i humbur”, ka thënë Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim.

Rashiq bënë thirrje që rastet ku fajtor mund të jenë disa individë mos përdoren për të fajësuar një komunitet të tërë, e për të përhapur gjuhë të urrejtjes.

Lidhur me këtë rast ka reaguar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Në një shkrim në Twitter, ai këtë veprim e ka quajtur kriminal.

“Kjo shtëpi në Istog ka pësuar një zjarrvënie kriminale. E vizitova për ta parë vetë, me lejen e familjes, e cila synonte të kthehej në pronën e tyre. Unë e dënoj këtë sulm me zjarrvënie dhe këtë përpjekje për të frikësuar një familje që të mos ushtrojë të drejtën e tyre për t’u kthyer në shtëpinë e tyre”, tha Hovenier.

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë, ka dënuar aktin.

Në një reagim në Twitter, OSBE ka kërkuar nga policia që të hetojë rastin dhe autorët të vihen para drejtësisë.

“Dënojmë sulmin me zjarrvënie ndaj një shtëpie të sapondërtuar të një serbi të Kosovës të kthyer në Veriq komuna e Istogut. I bëjmë thirrje policisë që të hetojë rastin dhe të vërë para drejtësisë autorët.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka kërkuar që rasti të cilësohet si “zjarrvënie” dhe se hetimet po vazhdojnë më tutje.

 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar për djegien e një shtëpie në Veriq të Komunës së  Istogut, që është pronë e një serbi i cili planifikonte të kthehej në Kosovë.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se ky akt është vepër e papranueshme.

“Kosova, si një vend demokratik dhe me aspirata euro-atlantike, i garanton të drejtat themelore për një jetë të sigurtë dhe pronë të pacënueshme të gjithë qytetarëve të saj. Ne, me krenari duhet të jemi konform kushtetutës sonë, duke marrë obligim për të mbrojtur dhe respektuar të gjithë në mënyrë të barabartë, për të bërë të mundur që secili të ndjehet si në shtëpinë e vet, duke përfshirë këtu të gjitha komunitetet”.

”Djegja e një shtëpie e një qytetari serb, shtetas i Kosovës, është vepër e papranueshme si dhe kundër përkushtimit tonë për paqe dhe stabilitet. Ftoj organet e rendit dhe të ligjit që sa më parë të sjellin para drejtësisë kryesit e këtij sulmi të shëmtuar”, ka shkruar Haradinaj.