BALLKAN, 12 Dhjetor 2021, 22:46

OSBE: Republika Serbe kërcënon paqen dhe stabilitetin në Bosnjë dhe rajon

OSBE: Republika Serbe kërcënon paqen dhe stabilitetin në

Kryetarja e OSBE-së, ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde dhe sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Helga Maria Schmid vlerësuan sot se miratimi i një sërë konkluzionesh në Asamblenë e Republikës Serbe që bëjnë thirrje për një tërheqje të njëanshme nga nivelet e shtetit dhe të entiteteve kërcënon paqen dhe stabilitetin në Bosnjë-Hercegovinë dhe rajon.

Ann Linde beson se masa çon në një përshkallëzim të tensioneve dhe është në kundërshtim me atë që është arritur në 26 vjetët e fundit.

“U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë në Republikën Serbe që të përmbahen nga veprimet politike negative që shkaktojnë ndarje,” tha Linde.

Ajo shtoi se rrezikimi i Marrëveshjes së Dejtonit dhe rendit kushtetues të BeH mbart me vete rrezikun e rrezikimit të paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.

Ndërsa, sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Helga Maria Schmid tha se kriza e vazhdueshme po ndikon në ekonomi, duke dekurajuar investimet dhe duke ngadalësuar reformat kryesore.

“Për fat të keq, barra e kësaj krize do të bjerë sërish mbi qytetarët që tashmë po përballen me rritje të papunësisë, korrupsionit dhe mangësive shëndetësore”, pohon ajo.

Linde dhe Schmid u bënë thirrje të gjitha palëve që të rivendosin funksionalitetin e plotë të institucioneve të nivelit shtetëror dhe të angazhohen në dialog politik konstruktiv në mënyrë që të arrihet një konsensus për të mirën e të gjithë qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës./Kosovapress