BALLKAN, 2 Prill 2025, 21:14

Në kërkim nga Bosnja, Dodik zbulon telefonatën me Vuçiç: Më njoftoi se INTERPOL-i s’ka pranuar të lëshojë fletë-arrest ndaj meje

Në kërkim nga Bosnja, Dodik zbulon telefonatën me

Presidenti i entitetit serb të Bosnjës e Hercegovinës, Millorad Dodik,  ka thënë të mërkurën se është njoftuar se INTERPOL-i nuk e ka pranuar kërkesën e gjykatës së Bosnjës për të lëshuar fletarrest ndërkombëtar kundër tij dhe Nenad Stevandicit, kryetarit të Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska.

Dodik shkroi në X se u njoftua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të cilin tha se e falënderon bashkë me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

“Presidenti Aleksandar Vuçiç sapo më telefonoi për të më thënë se mori një njoftim nga Drejtoria e Interpolit se ankesa e Serbisë ishte pranuar dhe se Interpoli ka refuzuar kërkesën e Gjykatës së Bosnjës për të lëshuar njoftim të kuq për Stevandicin dhe mua”, shkroi Dodik në X.

Gjykata e Bosnje e Hercegovinës kërkoi më 27 mars fletarrest ndërkombëtar, përmes INTERPOL-it, për dy liderët e Republikës Sërpska.

Kërkesa për fletarresteve ndërkombëtare u bë pasi ata nuk i ishin përgjigjur thirrjes nga Prokuroria e Përgjithshme e Bosnjës nën dyshimin se kanë shkelur rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës.

Dodik, president i Republikës Sërpska, e bëri këtë njoftim në ditën kur u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Moskë.

Një ditë më parë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se angazhimi i shtetit të tij ka parandaluar zbatimin e fletarresteve për Dodikun dhe Stevandicin.

Serbia kishte dërguar notë proteste në INTERPOL në lidhje me fletarrestet për Dodikun dhe Stevandicin, duke thënë se ato shkelin një nen të statutit që përcakton se çdo veprim nëse ka një sfond politik, ushtarak, fetar ose racor është rreptësishtë i ndaluar.

Daçiç kishte thënë më herët se Dodik dhe Stevandic janë shtetas të Serbisë dhe se fletarrestet ndërkombëtare që Bosnja po iu referohej nuk përbënin bazë për veprim, pasi nuk kanë kaluar nëpër procesin e verifikimit për të parë nëse janë përmbushur kushtet.