TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën.
Basha i mori 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenime.
Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pro tij votuan edhe një pjesë e deputetëve të PDK-së, AAKA-së dhe një pjesë e pakicave, ndërsa LDK dhe Lista Serbe u shprehën kundër. Seanca u ndërpre për një orë, ndërsa më pas pritet që të votohet edhe për emrat e pesë nënkryetarëve.
Në fjalën e tij të parë si kryetar Kuvendi, Basha, teksa shprehu mirënjohje për besimin që i dhanë duke e votuar, iu bëri thirrje partive politike edhe për bashkëpunim. Një apel e pati edhe për Serbinë, duke i kërkuar që të sillet në mënyrë demokratike, ndërsa shtoi se janë pro urave të bashkëpunimit.
“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në. Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, u shpreh ai ndërsa shtoi:
“Shumica prej nesh dallojmë me parti por qytetarët presin që të jemi të bashkuar në objektivat tona, si zhvillimi ekonomik, forcimi i së drejtës e mbi të gjitha mbrojtja e integritetit territorial”, tha ai drejtuar partive.
Seanca e parë konstituive nisi më 15 prill dhe më pas u pasuan edhe shumë të tjera që dështuan. Deputetët refuzuan të zgjidhnin disa emra të propozuara nga LVV, deri më 27 qershor kur Gjykata Kushtetuese urdhëroi një pauzë deri më 8 gusht, duke iu ndaluar deputeteve që të ndërmerrnin veprime për konstituimin e Kuvendit. Më 18 gusht, gjykata publikoi aktgjykimin, ku urdhërohej konstituimi i kuvendit brenda 30 ditësh si edhe votimi të kryhej me votim të hapur.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi 48 mandate në zgjedhjet e 9 shkurtit. PDK-ja doli e dyta me 24 mandate, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.
Kush është Dimal Basha?
Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”
Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.
Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së.
Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.
Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje! Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.