BALLKAN, 24 Gusht 2025, 11:41

Dështon edhe seanca e 57-të e Kuvendit të Kosovës, Hekuran Murati nuk merr sërish votat për kryeparlamentar

Dështon edhe seanca e 57-të e Kuvendit të Kosovës, Hekuran

Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në seancën e 57-të për të bërë një tjetër përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kjo është përpjekja e tretë  që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton që kandidatët mund të hidhen në votim vetëm deri në tre herë dhe se votimi duhet të jetë i hapur.

Lëvizja Vetëvendosje sot propozoi sërish si kandidat Hekuran Muratin për të dytën herë,  i cili nga 106 deputetë të pranishëm mori vetëm 55 vota për, 46 kundër dhe 5 abstenime.

Në seancat e kaluara LVV kishte propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën. Asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash, duke mbetur në maksimum në 57 vota.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë ku përcaktohet që legjislativi i ri duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, afat ky që përfundon më 18 shtator.