BALLKAN, 11 Shkurt 2023, 16:33

Kurti shkruan për telefonatën me Chollet: Plani europian është pranuar si bazë e mirë për bisedime me Serbinë

Kurti shkruan për telefonatën me Chollet: Plani europian
Derek Chollet dhe Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar në Twitter për telefonatën që ka patur mbrëmë me Këshilltarin Special amerikan, Derek Chollet.

Ai tha se në bisedën me të i ka thënë që planin e BE-së e ka pranuar si bazë të mirë për bisedime, derisa ka shtuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Mbrëmjen e kaluar me Këshilltarin Special Derek Chollet u diskutua për rëndësinë e ecjes përpara në dialog bazuar në propozimin e BE-së, i pranuar si një bazë e mirë për bisedimet e mëtejshme. Si vendi më demokratik në rajon, Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe integrim në BE dhe NATO”, ka shkruar Kurti.

 

Ndërkaq, në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit për këtë bisedë thuhet se Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut.

Në anën tjetër, Chollet në postimin e tij në Twitter ku njofton për bisedën që zhvilloi me Kurtin, thotë se ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka shkruar Chollet.