BALLKAN, 29 Mars 2023, 13:00

Albin Kurti: Kemi nevojë për zbatim të saktë dhe sa më të shpejtë të marrëveshjes së arritur në Ohër

Albin Kurti: Kemi nevojë për zbatim të saktë dhe sa më

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është e nevojshme zbatimi i saktë dhe i shpejtë i marrëveshjes së Ohrit, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kurti u shpreh se më 4 prill, kryenegociatorët e të dyja vendeve do të takohen në Bruksel për të diskutuar çështjen e zbatimit të marrëveshjes.

“Takimi në javën e parë të prillit, që do të mbahet në Bruksel nuk do të jetë ndërmjet meje si kryeministër dhe presidentin e Serbisë, por do të jetë ndërmjet kryenegociatorëve. Me 4 prill në Bruksel, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë dhe publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj”, theksoi ai.

Takimi i kryenegociatorëve është i pari pas takimit në Ohër, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kanë arritur pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiç janë pajtuar për tekstin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, më 27 shkurt.