BALLKAN, 15 Prill 2026, 18:53

Kryenegociatori i Kosovës takim me shefat e misionit të BE: Fokusi te avancimi drejt statusit kandidat dhe hapja e negociatave!

Kryenegociatori i Kosovës takim me shefat e misionit të BE: Fokusi te

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një takim me shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit në një reagim zyrtar ka njoftuar se takimi u fokusua në ecurinë e procesit të integrimit të Kosovës në BE, progresin  e reformave dhe forcimin e institucioneve.

“Diskutimi u përqendrua në ecurinë e procesit të integrimit të Kosovës në BE, progresin në zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF), si dhe në nevojën për forcimin e koordinimit institucional dhe garantimin e zbatimit të qëndrueshëm të reformave”, thuhet në njoftim.

Më tej , kryenegociatori Zulfaj ka shprehur falënderime për BE-në dhe shtetet anëtare për ndihmën dhe kontributin në zhvillimin e Kosovës.

“Fokusi i tij kryesor do të jetë avancimi drejt statusit kandidat dhe hapja e negociatave si hapa të natyrshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Zulfaj ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një përpjekje e përbashkët. Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së, ndan vlerat e përbashkëta evropiane, prin në rajon në indekset e avancimit demokratik dhe ka mesatare të lartë të zhvillimit ekonomik, andaj avancimi drejt anëtarësimit në BE është hap i natyrshëm dhe i merituar.”, thuhet në njoftim.