BALLKAN, 16 Nëntor 2021, 09:05

Kosova dhe Serbia takim në Bruksel, çështjet që do të diskutohen sot

Kosova dhe Serbia takim në Bruksel, çështjet që do të

Ditën e sotme ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel.

Sipas Bashkimit Evropian, në këtë takim do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe për çështjet e hapura.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë, se në raundin e ri të takimeve të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe çështjet e hapura e rrugën përpara në dialog.

Nga zyra e kryeministrit të Kosovës thonë se, “temat e diskutimit në takimin bilateral do të jenë çështja e të zhdukurve, e energjisë dhe lëvizja e lirë”, ndërkaq “data për takimin e mundshëm për dialogun në nivel politik ndërmjet liderëve varet nga rrjedha e procesit dhe dakordimi për çështjet në nivel kryenegociatorësh”.

Në anën tjetër nga e ashtuquajtura zyrë e qeverisë së Serbisë për Kosovën, thonë se në takimin e datës 16.11. ekipi serb kryesohet nga drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, dhe se në takim tema kryesore do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Autoritetet e Prishtinës janë kategorike kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu siç e kërkon Beogradi zyrtar “Asociacion me kompetenca ekzekutive”, duke iu referuar marrëveshjes parimore të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha para disa ditësh se “Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion mbi baza etnike” dhe se marrëveshjen e vitit 2013, sipas tij, deputetët e Kosovës e kanë miratuar në një trysni të jashtëzakonshme ku ka munguar transparenca.