BALLKAN, 8 Prill 2025, 14:26

Konjufca: Formimi i qeverisë së re, i pamunduar pa përfshirjen e partive opozitare në koalicion! Dy skenarët e Lëvizjes Vetëvendosje

Konjufca: Formimi i qeverisë së re, i pamunduar pa përfshirjen e

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.

Konjufca tha se Vetëvendosje ka pasur synim që në zgjedhjet e 9 shkurtit të fitonte 500 mijë vota, në mënyrë që të drejtojë e vetme qeverinë e ardhshme.

Por, sipas tij, rezultati zgjedhor ka treguar se një gjë e tillë nuk është e mundshme.

“E kemi pasur qëllimin [t’i sigurojmë] 500 mijë vota. Nuk i kemi arritur ato. Tash është një skenar tjetër. Është skenari B”, deklaroi Konjufca.

Konjufca tha se aktualisht ekzistojnë dy skenarë: i pari, votimi i një qeverie deri në zgjedhjen e presidentit të ri; dhe i dyti, votimi i një qeverie të re afatgjatë.

Mandati pesëvjeçar i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill të vitit të ardhshëm.

I pyetur për ftesën për takim që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka dërguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, Konjufca tha se kjo ftesë “është rasti më normal” në një shoqëri demokratike. Një ftesë e tillë nuk u është dërguar partive të tjera opozitare.

Këto komente Konjufca i bëri pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike, një javë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në takim, nga Lëvizja Vetëvendosje ishte pjesëmarrëse Albulena Haxhiu; nga Partia Demokratike e Kosovës, nënkryetari Uran Ismaili; nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nënkryetarja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili; kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sekretari i partisë, Muharrem Nitaj. Të pranishëm ishin edhe disa nga përfaqësuesit e partive të pakicave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 15 prillin si datën për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Caktimi i seancës konstituive shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 mars.

Çfarë parashihet më 15 prill?

Deputetët e zgjedhur paraqiten në Kuvend. Seancën konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë. Deputetët e zgjedhur bëjnë betimin.

Partia e parë propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe gjatë seancës zgjidhen edhe nënkryetarët.

Seanca përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, sipas Rregullores së Kuvendit.

Sipas rezultateve, në përbërjen e re parlamentare Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën Socialdemokrate tetë vende.

Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, deklaroi ditë më parë se synon që qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti, ta votojë gjatë seancës konstituive.

Megjithatë, deri më tani, kryeministri në detyrë i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka njoftuar zyrtarisht se ka takuar partitë politike të pakicave.

Këto takime Kurti i zhvilloi në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re. Pas takimeve me përfaqësuesit e pakicave, ai akuzoi Serbinë se po tenton të “sabotojë themelimin e institucioneve të reja”.

Sa u përket partive më të mëdha, deri më tani Kurti ka dërguar ftesë zyrtare për takim vetëm kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku./REL