BALLKAN, 21 Korrik 2025, 11:24

Afati kushtetues po shkon drejt fundit, sot përpjekja e 50-të për të zhbllokuar Kuvendin e Kosovës

Afati kushtetues po shkon drejt fundit, sot përpjekja e 50-të për

Sot, mbahet tentativa e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në një përpjekje tjetër për të zhbllokuar krizën institucionale që po zgjat prej muajsh.

Deri tani, të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.

Në thelb të bllokadës qëndron mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit i cili do të duhej të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit.

Partitë PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK e Nisma vazhdojnë të mos propozojnë anëtarë për këtë komision, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidaturën e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun dhe mënyrën e votimit të fshehtë.

Të shtunën, u zhvillua një takim mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe liderit të Nismës, Fatmir Limaj, por as ky takim nuk solli ndonjë marrëveshje konkrete për tejkalimin e krizës.

LVV dhe NISMA janë “barrikaduar” sa i përket këtij takimi duke mos dhënë asnjë detaj se cfarë ka ndodhur konkretisht.

Takimi u zhvillua në prag të përfundimit të afatit kushtetues, të përcaktuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, respektivisht deri më 26 korrik 2025.

Kriza aktuale ka nxitur shqetësim te qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar nga liderët politikë që të vënë në vend të parë interesin e vendit. 

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së saj lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.

Ajo ka deklaruar se PDK nuk do ta mbështesë asnjë kandidat për kryetar Kuvendi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje që ka pasur funksion qeveritar.

“PDK e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Nuk e votojmë asnjë kandidat që ka ushtruar funksionin e ministrit. Kemi ofruar kompromis, ndonëse nuk na është kërkuar vetëm për hir të zhbllokimit të situatës”, theksoi ajo.

Çitaku po ashtu komentoi takimet e fundit ndërmjet liderëve politikë, përfshirë atë të së shtunës mes Kurtit e Limajt, duke vlerësuar se “takimet do të kishin vlerë nëse do të sillnin rezultate konkrete”.

Sipas saj, dialogu është i nevojshëm por deri më tani ka munguar efektiviteti.