BALLKAN, 19 Korrik 2025, 09:15

Arrestohet Igor Popoviq pas fjalimit fyese ndaj UÇK-së në Rahovec. Policia jep detaje

Arrestohet Igor Popoviq pas fjalimit fyese ndaj UÇK-së në

Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” të qeverisë serbe, është arrestuar nga Policia e Kosovës pas një fjalimi të mbajtur të premten në fshatin Hoçë e Madhe, ku ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”.

Sipas njoftimit zyrtar, Popoviq dyshohet për kryerjen e veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit”, përmes deklaratave që, sipas autoriteteve, përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike në Republikën e Kosovës.

Policia njoftoi se arrestimi është kryer në pikën kufitare të Bërnjakut, ndërsa gjatë procedurave janë sekuestruar përkohësisht edhe dy telefona celularë, që mund të shërbejnë si prova materiale në hetim.

Pas marrjes në pyetje dhe me vendim të prokurorit, Popoviq është dërguar në mbajtje.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai e cilësoi deklaratën e zyrtarit serb si nxitëse të urrejtjes ndëretnike dhe theksoi se autoritetet e Kosovës do të veprojnë konform ligjeve në fuqi ndaj kujtdo që cenon rendin dhe sigurinë publike.