TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një seancë gjyqësore të premten kundër tre të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator 2023 – është shtyrë për të hënën për shkak të mungesës së dëshmitarit të thirrur nga Prokuroria.
Gjyqtari Arben Hoti tha se dëshmitari A2, i cili ishte paraparë të dëgjohej gjatë tërë ditës, mungon, prandaj e shtyu seancën për të hënën, raporton Betimi për Drejtësi.
“Konstatoj se për shkak të mungesës së dëshmitarit nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor”, tha Hoti. Disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dëshmuar për prokurorinë deri më tani prej se filloi rasti “Banjska” më 17 prill.
Dëshmitë e dy policëve – si ndodhi sulmi në Banjskë?
Ata kanë dëshmuar se si janë përballur me një grup serbësh të armatosur kur ishin sulmuar natën e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë kolegu i tyre, rreshteri Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Në Gjykatën Themelore për këtë rast janë duke u gjykuar Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, tre nga 45 të akuzuarit për sulmin në Banjskë. Që të tre të akuzuarit i mohuan akuzat para gjykatës dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar. Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.