AKTUALITET, 20 Janar 2020, 01:31

Avioni mbeti në ajër për disa orë dhe më pas u ul në Brindisi, shihni si kanë përfunduar pasagjerët e "Blue Panorama"

Avioni i linjës “Blue Panorama”, i nisur nga Roma rreth orës 19:30, nuk ka arritur të ulet në aeroportin e Rinasit, për shkak të mjegullës së dendur.

Avioni ka mbetur në ajër duke bërë disa rrotullime, deri sa është marrë vendimi që ai të ulet në aeroportin e Brindisit në Itali, rreth orës 23:00.

Pasagjerët e këtij fluturimi kanë përjetuar momente tmerri dhe pasigurie për disa orë.

Një pasagjer i tha TPZ.al, se për disa orë, askush në aeroport nuk u ka dhënë shpjegime se çfarë do të ndodhte me ta dhe se kur do të mund të nisen drejt Tiranës. Ata qëndruan deri në orën 05:00 të mëngjesit në karrike dhe u janë ofruar si ushqim, disa qese me patatina dhe lëngje frutash. Pasagjeri i tha TPZ.al, se kompania i ka spostuar në një hotel në orën 05:00.

Avioni do të nisest drejt Tiranës, rreth orës 14:00.

Aeroporti i Rinasit u paralizua mbrëmjen e djeshme, për shkak të mjegullës së dendur dhe asnjë avion nuk mund të ulej, apo ngrihej nga ky aeroport, duke shkaktuar kaos për disa fluturime dhe qindra pasagjerë.

/TPZ.al/

FOTO: