TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Artan Rama
Dy aplikime të reja për ndërtimin në Karaburun të impianteve që prodhojnë energji elektrike nga burimet e erës, kanë marrë javët e fundit të vitit që shkoi miratimin paraprak nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Por Karaburuni, gadishulli i vetëm i vendit, i pozicionuar në kategorinë IV të klasifikimit, sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Konservimit të Natyrës (IUCN), është zonë natyrore e mbrojtur, nën statusin e “Rezervat Natyror i Menaxhuar”. Ndërtimi impianteve të prodhimit të energjisë brenda zonave të mbrojtura nuk përputhet me objektivat e mbrojtjes se mjedisit.
Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria vuajti pasojat e një boomi ndërtimesh të impianteve gjeneruese të energjisë elektrike, veçanërisht prej burimeve hidrike. Nën moton – Shqipëria një mini-superfuqi energjitike – autoritetet mbështetën një zhvillim kaotik e të pakontrolluar të këtyre impianteve, disa dhjetëra prej tyre, brenda zonave natyrore të mbrojtura.
Të propaganduara si nevojë për të siguruar energjinë e nevojshme, një pjesë e licencave përfunduan si shkëmbime favoresh, mes zyrtarëve të korruptuar dhe aksionerëve të kompanive private. Gjatë kësaj periudhe, rreth 1300 MW fuqi e instaluar, (e barabartë me kapacitetin total të energjisë që sigurohet prej Kaskadës së Drinit), u parashikua të sigurohej prej gjeneratorëve që do të viheshin të lëvizje nga energjia e erës.
Për shumë faktorë, përparimi i mëtejshëm i impianteve të prodhimit të energjisë nga burimet e erës ndaloi. Aktualisht, pothuajse e tërë energjia që prodhohet në vend sigurohet ende nga burimet hidrike.
Por në korrik të 2019-s, qeveria miratoi një plan të ri. Si nevojë edhe për diversifikimin e burimeve të energjisë, plani parashikoi mbështetjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme nga era, me një volum, të paktën prej 150 MW-ësh. Kësisoj, kompanive të interesuara do t’u garantohej blerja e prodhimit deri në 3 MW, për një periudhe 15-vjeçare. Është ky momenti kur interesi për ndërtimin e impianteve të erës u rikthye, natyrisht në një shkallë ‘agresiviteti’ më të ulët.
Deri tani në Karaburun, autoritetet kanë miratuar kapacitete gjeneruese me fuqi të instaluar 20 MW (2019). Dy aplikimet e fundit, dhjetorin e shkuar, prej 3 MW secila (gjithsej 6 MW), sapo kanë marrë miratimin paraprak.
Ndërkohë, disa gjëra kanë ndryshuar. Karaburuni u shpall zonë me rëndësi kombëtare, i vlerësuar për potencialin turistik në dobi të vendit. Kufiri i tij parashikohet të zgjerohet me Lagunën e Orikumit, si dhe me një pjesë tjetër, në faqen perëndimore të Malit të Çikës, mbi Llogara. Gjeografikisht, ai është pozicionuar në rrugëkalimin e Adriatikur Lindor, i njohur si korridor shtegtimi për shpendët migratorë, duke qenë, njëkohësisht, i klasifikuar një zonë e rëndësishme për shpendët (IBA).
Një studim mbi përshtatshmërinë e zonave të mundshme për zhvillimin e projekteve të erës në Shqipëri, i komisionuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), sapo është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Studimi konkludon se 20% e territorit të vendit, rreth 350,000 ha, rezulton e qëndrueshme për zhvillimin e paneleve të erës. Për herë të parë, mbrojtja e natyrës i paraprin potencialit teknik. Dimensioni mjedisor është caktuar treguesi kryesor i vlerësimit. Zonat e mbrojtura janë përjashtuar dhe fizibiliteti i paneleve eolike (të erës) në territore me ndjeshmëri të larta mjedisore vlerësohet me qëndrueshmëri të ulët. Ndonëse kjo nuk ndodhi gjatë dekadës së shkuar me impiantet e prodhimit të energjisë prej burimeve hidrike, studimi në fjalë i jep shpresë përpjekjes së vazhdueshme të grupeve të interesit për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe konservimit të natyrës.
Por ministria nxitoi. Ndërkohë që studimi s’kishte përfunduar, vetëm pak ditë përpara publikimit të tij, ajo miratoi ndërtimin e dy paneleve të reja të erës, brenda Rezervatit Natyror të Menaxhuar të Karaburunit.
Ka një pyetje! Përse qeveria vazhdon të mbështesë impiantet e prodhimit të energjisë elektrike brenda zonave të mbrojtura, ndërkohë që refuzimet prej grupeve të interesit po shtohen? Kujt i shërben “kokëfortësia” e vendimmarrjes?!/ Porta Vendore/