AKTUALITET, 14 Maj 2020, 10:34

EMRAT/ Autorë të atentateve të bujshme, zbulohet kush janë tri “të fortët” që rrahën gardianët në paraburgimin e Vlorës


Gardianet në burgun e Vlorës dhe një tjetër i burgosur janë dhunuar në ambientet e paraburgimit të Vlorës nga Eduart Xhezo, Emilent Dhepa, Lulzim Demiraj. Pas këtij veprimi të burgosurit janë lënë në izolim për tri muaj.

Por kush janë tre autorët e dhunimit?

Lulzim Demiraj, 43-vjeç akuzohet se ka qëlluar me automatik, duke plagosur pronarin e pikës së këmbimit valutor Gëzim Hoxha dhe duke vrarë 54-vjeçarin Agur Vrenozi, ngjarje e ndodhur në mars të 2018.

Ai bashkë me dy grabitës të tjerë hynë në pikën e këmbimit valutor, duke lënë të plagosur rëndë pronarin dhe një 53-vjeçar, që shkoi për ta ndihmuar. Agur Vernozi humbi jetën në spital në Tiranë.

Ndërsa Eduard Xhezo është arrestuar nga policia në nëntor të 2019 për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj ndodhur më 4 gusht 2019. Ai akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit.

Arben Beqiraj u qëllua në lokalin e tij me disa plumba në trup. 34-vjeçari Xhezo, pas një konflikti që kishte pasur me biznesmenin dhe të birin e tij, është kthyer për t’u hakmarrë duke qëlluar në drejtim të tyre me breshëri automatiku. Thuhet se shkak është bërë kalimi i Xhezos me kalë para biznesit të tij.

Ndërsa Emilent Dhepa është dënuar me 12 vjet heqje lirie, pasi është konsideruar si superhajduti i dyqaneve në Tiranë. Emilent Dhepa, 38 vjeç, ishte i papunë dhe të vetmin burim për të siguruar të ardhurat e familjes kishte gjetur grabitjen e dyqaneve të ndryshme në disa zona të Tiranës. Për të realizuar grabitjet ku operonte i vetëm, 38-vjeçari përdorte armë./Panorama