AKTUALITET, 5 Qershor 2021, 14:38

Atentati që tronditi Vlorën/ Ishin tre persona, njëri qëlloi 42-vjeçarin. Viktima la makinën ndezur dhe nxitoi të shpëtonte, por…

Atentati që tronditi Vlorën/ Ishin tre persona, njëri qëlloi


Dy net pas ekzekutimit me 15 plumba në zonën e “Çoles” në Vlorë të Shkëlzen Velaj, autorët e krimit të rëndë mbeten ende të panjohur për policinë.

Ajo që është zbuluar deri më tani nga hetuesit është se vrasjen e ka kryer një person i vetëm, i cili ka derdhur breshërinë e automatikut mbi trupin e 42-vjeçarit.

Siç është bërë me dije, viktima është ndjekur fillimisht me makinë dhe duke parë rrezikun që po i kanosej, Velaj ka tentuar të shkojë në banesë në katin e pestë të pallatit ku ndodhi krimi, duke lënë automjetin e tij të ndezur poshtë ndërtesës.

Sipas burimeve, vrasësi, me qëllim për të mos u njohur, ka pasur një kapele të zezë në kokë dhe një maskë anti-Covidi në fytyrë. Pasi ka kryer vrasjen, autori ka zbritur nga shkallët me armën “Kallashnikov” në dorë, ndërsa jashtë pallatit pritej nga dy persona të tjerë me një makinë.

Pas këtij momenti, autorët largohen nga vendi i ngjarjes. Rreth një orë më vonë pas krimit, një automjet tip “BMW” u gjet duke u djegur në fshatin Risili, brenda së cilit kishte edhe dy armë automatike. Armët janë dërguar për ekspertizë pranë.

RENEA BLINDON VLORËN

Krahas Policisë Lokale, në Vlorë po ushtrojnë kontrolle të shumta edhe forcat RENEA. Kontrolle janë zhvilluar edhe në Selenicë dhe në fshatrat e Lumit të Vlorës. Fakti që makina “BMW” u gjet e djegur në një prej këtyre fshatrave, shton dyshimet te hetuesit se autorët e përfshirë në ngjarjen e rëndë mund të jenë larguar në këtë drejtim.

Pasi dogjën makinën, ata humbën gjurmët dhe pavarësisht kontrolleve nga Forcat Speciale RENEA, që u përqendruan në Selenicë, ende nuk ka zyrtarisht asnjë të dyshuar në pranga. Krimi dyshohet të jetë kryer me pagesë, ndërsa motivet dyshohet së kanë të bëjnë me përplasjet mes bandave kriminale në Vlorë.

VIKTIMA, ME DY EMRA

Shkëlzen Velaj rezulton të ketë edhe një emër të dytë. Në vitin 2019, ai rezulton i arrestuar në kuadër të operacionit “Vjeshta” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Altin (Shkëlzen) Velaj rezultonte mes 7 personave të arrestuar për kultivimin e kanabisit në zonën e Selenicës.

“Në vazhdimësi të këtij hetimi, janë evidentuar 24 raste të kultivimit të bimëve narkotike në 5 Njësitë Administrative (Armen, Sevaster, Brataj, Kotë dhe Vllahinë), ku më parë janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 16 persona (8 të arrestuar, 4 në kërkim, 4 në gjendje të lirë)”, sqaronte Policia më 17 dhjetor të vitit 2019. Në atë kohë u sekuestruan edhe 3 armë zjarri (2 kallashnikov dhe 1 pistoletë), 1 226 000 lekë dhe 4 850 €uro, 3 automjete dhe 19 aparate celulare, si dhe janë asgjësuar bimë dhe fidanë kanabis sativa./Panorama/