AKTUALITET, 1 Korrik 2021, 21:00

Artan Hoxha tregon prapaskenat e kokainës: Shqiptarët shquhen për rrezikun, e sjellin kokainën me banane! Fieri është “Universiteti” i krimit të organizuar

Artan Hoxha tregon prapaskenat e kokainës: Shqiptarët shquhen për


Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV  është shprehur se, kokaina është mbizotëruese në Shqipëri dhe në zgjedhjet e 25 Prillit, u investuat para në dollarë, për fushatën elektorale.

“Dikur ne flisnim shumë pak për kokainën, sot kokaina është tema e ditës këto të tjerat janë garniturë, sot në qendër është kokaina.

Ka një element që sa herë ka pasur zgjedhje vitet e fundit, gjatë fundit të fushatës dhe ditën e zgjedhjeve dhe dy javë mbas zgjedhjeve ulet çmimi i euros në treg, pra vlera e euros bie. Pse? Sepse tregu mbushej me euro, bliheshin vota, ishin paguar borxhe, etj. .

Ky është viti i parë që nuk lëvizi çmimi i euros. Po çfarë lëvizi? Lëvizi çmimi i dollarit, sepse kokaina blihet me dollarë. Ekuadori ka monedhë kombëtare dollarin dhe gjithë ngarkesat tona që janë kapur vijnë nga Ekuadori. Në zgjedhjet e fundit ,paraja që u injektua në fushatë nuk ishte euro, por dollarë, prandaj dhe ra çmimi i dollarit në treg.

Sot grupet tona të krimit të organizuar, nisur dhe nga rastet konkrete që janë kapur përdorin dy linja, njëra është zbarkimi afër tregut, pra tregu është BE.

Nëse ti arrin të çash rrjetin në katër portet kryesore në Europë, Anvers, Belgjikë, Holandë, Portsmouth në Angli, Alicante në Spanjë  këtu fitimi është më i madh .

Linja e dytë është krijimi i një baze operacionale dhe Shqipëria është një bazë, e tillë ka treguar që është .

Shqiptarët përpiqen të kapin diçka, ne nuk jemi ende në organizatat me traditë italiane, por shqiptarët shquhen sot për rrezikun, dhe kemi shkuar sot direkt te burimi në Amerikën Latine, kjo na ka bërë kaq të ekspozuar sot, pasi kemi shkuar në burim.

Rasti i fundit që u kap në Durrës, që nuk ishte kokainë në hyrje, por në dalje, mbi 90 për qind e pastër. Si ka hyrë një sasi kaq  e madhe në Shqipëri, ajo po shkonte për në Itali. Kjo dëshmon se grupet e krimit në Shqipëri, kanë krijuar bazat e tyre të përpunimit të kokainës.

Linjat e përpunimit në Shqipëri janë kapur kur ato janë bërë problem në vendet e tjera të BE, rasti i Xibrakës, përshembull u kap kur një operator i ri hyri në tregun gjerman dhe kërkonte të shiste njëkohësisht 200 kg. U vunë në alarm grupet e tjera dhe u vu në alarm policia gjermane, kështu nisi hetimi dhe erdhën e gjetën laboratorin në Xibrakë, ku ne nuk na shkonte mendja  dhe kimisti aty ishte nga Kolumbia, kjo tregon se ne kishim këtu laboratorin, kishim lëndën e parë, lëndën përpunuese kishim dhe kimistët të huaj. Gjithashtu laborator të tjerë të përpunimit të Kokainës, kemi pasur në Fushë Kuqe, po kështu në Fushë-Krujë, nisur nga ky fakt kjo tregon se këta janë bërë të fuqishëm, hedhin para dhe investojnë, pra investuan edhe në fushatë, për të garantuar që në mandatin që vjen ata të kenë një mundësi”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, Fieri është qyteti që pret më shumë ngarkesa kokainë në Shqipëri

“Mua më ka rënë rasti prej punës që të kontaktoj me disa prej grupeve në Ekuador, ata janë Konsujt tanë të Nderit atje, ata i bëjnë marrëveshjet, ai e nis ngarkesën, në bazë të linjës ai vendos, do të shkojë në portet europiane. Grupi i parë shqiptar që ka tërhequr vëmendjen dhe që është kapur në Evropë ishte grupi i shtrirë në tre kontinente me emrin “Los Blankos”, me këtë emër sepse ishin tifozë të Real Madrid nga Vlora.

Kur ata nuk çajnë dot në këto porte europiane, atëherë e sjellin në Durrës, ata përdorin ambalazhime me logo, në shumë ngarkesa kanë logot e tyre, me logo ekipe futbolli etj.. E sjellin këtu dhe e nxjerrin pjesë pjesë duke u copëzuar dhe e përpunojnë, dihet që në Shqipëri vendi që ka pritur ngarkesat është Fieri, por çuditërisht në Fier nuk është zbuluar kurrë asnjë laborator, por Fieri është ‘Universiteti i krimit të organizuar’ në Shqipëri. Kokaina sillet në banane në vendin tonë. Dua të them që këto grupe kanë krijuar në Shqipëri lidhjet e duhura, ata paguajnë policinë, prokurorinë gjykatat, dhe financojnë fushata, ata kanë shumë para. Zyrat e shtetit që duhet t’i luftojnë ata janë pjesë e borderove të këtyre grupeve kriminale”, tha Hoxha. /TPZ.al/