AKTUALITET, 18 September 2026, 13:17

Arrestohet 37-vjeçari në Mirditë, u kap nga droni teksa kujdesej për 60 bimë narkotike

Një 37-vjeçar është arrestuar në Mirditë pasi dyshohet se kishte kultivuar dhjetëra bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar në fshatin Xhuxhë.

Sipas Policisë, ai u zbulua gjatë monitorimit me dron të zonave të thella malore. F. M., banues në Xhuxhë, dyshohet se po kujdesej për bimët e kultivuara në mes të pyllit, ndërsa një pjesë e tyre ndodheshin edhe pranë banesës së tij.

Gjatë kontrolleve u gjetën gjithsej 60 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa. Pjesa më e madhe e tyre u asgjësua, ndërsa disa prej bimëve u morën nga policia dhe u sekuestruan si provë materiale.

Njoftimi i plotw i Policisë 

"Mirditë/Finalizohet operacioni i koduar “Droni”.

U konstatua nëpërmjet monitorimit me dron, teksa kujdesej për bimët narkotike që kishte kultivuar në mes të pyllit, në fshatin Xhuxhë. Vihet në pranga 37-vjeçari.

Asgjësohen dhjetëra bimë narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, si rezultat i kontrolleve me dronë në zona të thella malore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Droni”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi F. M., 37 vjeç, banues në fshatin Xhuxhë.

37-vjeçari dyshohet se kishte kultivuar 60 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, në zonën e pyllëzuar të fshatit dhe në afërsi të banesës së tij.

Pjesa më e madhe e bimëve narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa një pjesë e vogël u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme"