AKTUALITET, 18 September 2026, 09:52

Para nisjes në SHBA, Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë te “Vila e Kuqe”! Porositë që priten gjatë mungesës gati 1-javore

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sërish këtë të premte, 18 shtator, kabinetin qeveritar dhe drejtuesit politikë të PS-së në qarqeve në një takim pune që ka nisur në orën 09:00 në ambientet e “Vilës së Kuqe”.

Në qendër të diskutimeve janë koordinimi mes strukturave qeverisëse, monitorimi i objektivave të përcaktuara dhe ecuria e dy nismave, “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”.

Pritet të analizohen edhe problematikat e evidentuara gjatë angazhimeve në terren, ndërsa ministrat dhe drejtuesit politikë do të marrin detyrat për vijimin e punës në qarqe dhe në strukturat përkatëse.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri Rama pritet të vijojë axhendën e tij me një vizitë jashtë vendit. Nesër, ai pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë planifikuar të zhvillohen nga 22 deri më 28 shtator. Shqipëria këtë vit do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, i cili pritet të mbajë fjalimin më 25 shtator, gjatë paradites sipas orës lokale në SHBA.