AKTUALITET, 7 September 2026, 13:58

Arrestimet/ Lamallari: Asnjë zjarrvënie nuk është “e vogël”, asnjë tolerancë për shkelësit

Ministri për Punët e Brendshme, Besfort Lamallari, teksa publikoi në rrjetin social Facebook pamje nga arrestimi i dy personave në qarkun e Fierit, të akuzuar për zjarrvënie të qëllimshme, deklaroi se çdo veprim që cënon mjedisin dhe pronën do të përballet me ligjin.

Ministri nënvizon se ruajtja e territorit kërkon përgjegjësi nga të gjithë, ndërsa vlerësoi punën e forcave të rendit.

“Falë monitorimit dhe reagimit të Policisë së Shtetit, në Fier janë arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa dy të tjerë po procedohen penalisht për zjarre të shkaktuara nga pakujdesia. Asnjë zjarrvënie nuk është ‘e vogël’ dhe asnjë pakujdesi nuk është pa pasoja. Policia e Shtetit do të vijojë monitorimin e territorit, identifikimin e autorëve dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje. Kujdesi i secilit prej nesh është mbrojtje për të gjithë!”, shkruan Lamallari.

Dy persona u arrestuan nga Policia e Fierit, pasi dyshohen se kanë shkaktuar zjarre në zona të ndryshme, ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht për të njëjtën vepër.

Në fshatin Eskaj të Lushnjës, policia arrestoi shtetasin K. B., 60 vjeç, i cili u konstatua duke ndezur qëllimisht zjarr në një tokë që e kishte marrë me qira.

Ndërkohë, në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta, në fshatin Hasturkas, u arrestua shtetasi E. S., 25 vjeç, banues në Fier. Ai dyshohet se ka shkaktuar zjarrin në grykëderdhjen e lumit Seman, ku flakët përfshinë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllëzuar, pjesë e zonave të mbrojtura.