LIFESTYLE, 3 Korrik 2026, 18:46

Shkenca hedh dyshime: Modelet e reja të IA-së nuk e kuptojnë botën reale

Shkenca hedh dyshime: Modelet e reja të IA-së nuk e kuptojnë

Shkencëtari i njohur i inteligjencës artificiale, Yann LeCun ka hedhur dyshime të forta mbi aftësitë e modeleve aktuale si “ChatGPT”, duke deklaruar se ato nuk e kuptojnë realisht botën dhe nuk mund të jenë një hap drejt inteligjencës njerëzore, shkruan BBC.

Duke folur në një konferencë teknologjike në Paris, LeCun tha se sistemet aktuale të IA-së janë shumë të afta në gjuhë, matematikë dhe programim, por dështojnë kur përballen me situata reale dhe fizike.

Sipas tij, modelet e mëdha gjuhësore (LLM), si ato që fuqizojnë “ChatGPT” dhe sisteme të ngjashme, nuk “mendojnë” në kuptimin e vërtetë, por thjesht parashikojnë një tekst, bazuar në të dhëna statistikore. Kjo i bën ato të dobishme në shumë detyra, por të pafuqishme në “kuptimin e botës reale”.

LeCun solli një shembull të thjeshtë: Edhe një fëmijë e kupton që kur një stilolaps lëshohet, bie në tokë, ndërsa IA-ja aktuale nuk ka një kuptim të tillë intuitiv të fizikës dhe duhet të mbështetet në modele të të dhënave.

Ai shtoi se këto sisteme nuk janë të përshtatshme për robotikën dhe detyra, që kërkojnë ndërveprim të drejtpërdrejtë me botën fizike, si punët e shtëpisë apo manipulimi i objekteve.