AKTUALITET, 11 Nëntor 2019, 16:35

Ambasadat e SHBA dhe BE, pro zgjedhjes antikushtetuese të Kuvendit

Dy përfaqësitë më të mëdha diplomatike në Tiranë kanë mbështetur vendimin e deputetëve socialist dhe të opozitës së re të përkrahur prej tyre, për zgjedhjen nga kuvendi të dy anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse ky votim shkeli hapur nenin 178/2 të kushtetutës që përcakton radhën se si duhet ti përzgjedhin institucionet anëtarët që duhet të çojnë në këtë gjykatë (lexoje historinë të plotë këtu) dy përfaqësitë diplomatike e mbështetën atë.

Ambasada amerikane ishte edhe një hap para asaj të BE. Selia e rrugës së Elbasanit nënvizoi se “Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike”, ndërkohë përfaqësuesit e Brukseli bënë një njoftim në Tëitter: “Ne e mirëpresim këtë vendim dhe presim krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Kjo mbështetje e njëkohësishme nga dy selitë mund të interpretohet si një paralajmërim për presidentin Meta, për të mos dekretuar ndonjë emër tjetër nga ato të tre që u lexuan në Kuvend duke krijuar kështu një ngërç për ngritjen e Kushtetueses. Në pikën ku ka arritur vonesa e aplikimit të reformës në drejtësi, në vakuumet e mëdha ligjore që kanë rrezultuar gjatë zbatimit të saj dhe pengesave që ka krijuar përpjekja e mazhorancës për të kapur drejtësinë, ndërkombëtarët po mundohen me çdo kusht ta çojnë përpara atë që njohet si projekti i tyre. Qoftë edhe kjo me çmimin e shpejtësisë që dëmton cilësinë.