AKTUALITET, 22 Qershor 2020, 11:54

“Alternativa Demokratike Shqiptare” siguroi katër mandate në qeverinë serbe, Arifi: Sukses. Për Vuçiç surprizë rezultati i shqiptarëve

“Alternativa Demokratike Shqiptare” siguroi katër mandate


Pasi “Alternativa Demokratike Shqiptare” siguroi katër mandate deputetësh në qeverinë e re të Serbisë, kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi pohoi se kjo ishte arritja më e madhe.

Në një komunikim me ‘News 24’ Arifi tha se aktualisht janë duke u numëruar votat për të siguruar mandatin e katërt.

Ai theksoi se kjo ishte historike, ndërsa për të nuk ishte surprizë rezultati i fitores së presidentit Aleksandër Vuçiç, madje edhe për vet këtë të fundit.

“Kemi siguruar katër mandate. Jemi të gëzuar tepër, pasi kemi mundur që të bëjmë unifikimin. Duke arritur një sukses që ka qenë teorikisht i mundur. Ne menduam se do arrinim tre, por jemi drejt mandatit të katërt.

Ky është sukses, pasi kemi mundur që përmes katër deputetëve të jemi në mesin e pesë partive kryesore të parlamentit të Serbisë.

Ka qenë procesi i unifikimit në mënyrë që të garohet. Unifikimi ka qenë me e rëndë se dita e djeshme. Republika e Kosovës, Lugina por dhe republika e Shqipërisë, është mundur që të unifikohemi.

Ka disa arsye se pse kemi arritur listën, është fakti se me modesti e them, se përfaqësoj të rinjtë e Luginës së Preshevës. Kjo ka qenë faktor për arritjen e marrëveshjes së tillë. Po të kesh interesa për kombin, vjen dhe unifikimi. Ne tejkaluam këto interesa të shumë partive. Kemi marrë një mbështetje të fuqishme nga shqiptarët, kryesisht nga ata të Komunës së Preshevës. Ata e kanë përqafuar këtë ide.

Qytetarët e kanë përshëndetur këtë koalicion. Arritja e partive shqiptare në zgjedhjet në Serbi është më surprizë për Vuçiç se sa rezultati për të. Ai preku temën në fjalë dhe për të ishte befasi. Kjo ishte arritje”, tha Arifi.