TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka drejtuar sot takimin e parë të “Aleancës së Dhurimit të Gjakut”.
Presidenti vlerësoi këtë iniciativë dhe bëri thirrje për sensibilizim sa më të gjerë të opinionit publik për nevojën e dhurimit të gjakut.
“Është kënaqësi për mua, të jemi të gjithë së bashku për institucionalizimin e një kauze humane dhe me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë, për çdo qytetar dhe familje shqiptare ‘Aleanca për Dhurimin e Gjakut’. Kjo Aleancë lind si nevojë për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar shoqërinë tonë për nevojën e dhurimit vullnetar të gjakut, për të ngritur solidaritetin për të dhuruar gjak për ata që kanë nevojë e për të nxitur vullnetarizmin, sepse dhurimi vullnetar i gjakut mbetet ende një sfidë për ne.
Të gjithë ne, drejtpërdrejt apo nëpërmjet familjarëve tanë, kemi pasur nevojë në një moment në jetë për transfuzion gjaku. Ndërkohë që grupe të tëra shoqërore si të sëmurët talasemikë apo të tjera kanë nevojë të vazhdueshme për gjak, ashtu siç kanë nevojë ata që ju nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale apo që pësojnë aksidente”, tha Presidenti.
Meta deklaroi se të dhurosh gjak është një akt humanizmi dhe solidariteti. “Jam i bindur se kjo Aleancë do të punojë për ta forcuar këtë solidaritetin, ashtu sic do të punojë fort për të nxitur vullnetarizmin duke motivuar e inkurajuar të gjithë qytetarët dhe sidomos të rinjtë tanë për të dhuruar gjak.
Strategjia Kombëtare për një Transfuzion Gjaku të Sigurt apo Ligji për Transfuzionin hodhën themelet e standardizimit të dy prej boshteve kryesore të sigurisë së gjakut: dhurues cilësor dhe testim cilësor. Kjo njëkohësisht u shoqërua edhe me ndryshimin në raportet e dhuruesve të gjakut duke rritur numrin e dhuruesve vullnetarë në vend”, u shpreh ai.