AKTUALITET, 7 Dhjetor 2018, 16:20

Albchrome financon laboratorin e Informatikës së gjimnazit “Asllan Keta” në Bulqizë

Kompania Albchrome ka kontribuar sërish për Bulqizën, ku kësaj here përfituese ka qenë Shkolla e Mesme “Asllan Keta”, konkretisht në Fushë Bulqizë, në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Grupit Balfin.

Kjo ceremoni është zhvilluar në praninë e përfaqësuesve të Bashkisë së qytetit Bulqizë, të autoriteve lokale, mediave, nxënësve, mësuesve, familjarëve etj.

AlbChrome ka mundësuar pajisjen me 10 kompjutera dhe një video projektor për kabinetin e informatikës të kësaj shkolle, për një vlerë totale prej rreth 4,000 Euro.

Ky laborator do t’u shërbejë tashmë 700 nxënësve të kësaj shkolle të cilët do të kenë mundësinë të aplikojnë dijet që marrin në lëndët mësimore në praktikë, si dhe do të mësojnë të bëjnë kodime, programime etj.

Te entuziasmuar nga kjo mbështetje, nxënësit e shkollës “Asllan Keta” kishin përgatitur një program të pasur artistik me këngë dhe valle të krahinës.

Po në qytetin e Bulqizës, AlbChrome pak ditë më parë ka dhënë bursa studimi me një vlerë prej 5.000 Euro, për tre studentët më të mirë nga shkolla e Mesme Profesionale e qytetit, një shkollë e mbështetur nga kjo kompani, të cilët janë regjistruar sivjet në vitin e parë në Universitetin Politeknik të Tiranës, në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, dega Gjeo-Burime.

Gjithashtu, kompania financon edhe shkollën profesionale “Ali Myftiu”, në qytetin e Elbasanit. Të rinjtë e shkollave në të dyja qytetet kanë një perspektivë të madhe punësimi pranë minierës së Bulqizës apo uzinës së ferro-kromit në Elbasan.

Albchrome është pjesë e Grupit Balfin, grupi më i madh dhe inovator i investimeve në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon.