AKTUALITET, 28 Shkurt 2020, 09:15

Arrestohet botuesi i njohur Henri Çili, dyshohet se kreu gjashtë vepra penale

Arrestohet botuesi i njohur Henri Çili, dyshohet se kreu gjashtë


Në orët e para të mëngjesit është arrestuar nga policia, botuesi i njohur dhe pronari i UET, Henri Çili.

Drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu, në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje në lidhje me operacionin.

Çili akuzohet për: “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim

Bashkë me Çilin janë arrestuar dhe shtatë persona të tjerë, mes tyre dhe një avokat, të cilët  janë transferuar nën forca të shumta policore drejt Gjirokastrës. Ndërkohë ka dhe disa persona të shoqëruar.

Arrestimet kanë ardhur pas hetimeve disa mujore nga prokuroria e rrethit të Gjirokastrës dhe dyshohet se ndikuan tek gjyqtarët për të liruar nga burgu disa persona.

Ka qenë një hetim i nisur nga prokuroria e Përmetit, prej gjashtë muajsh, ai që ka nxjerrë në dritë dhe emrin e Çilit, që dyshohet se ka bërë biseda me disa persona të arrestuar për drogë, mes të cilëve dhe Adil Aliko, i cili ka dy djemtë e tij në burg, për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.

Aliko, i cili kërkonte heqjen e dënimin të përjetshëm ndaj djalit të tij Arbionit, duket se i ka premtuar para dhe toka Çilit, përmes avokatit dhe pedagogut Ilir Korbi, në mënyrë që të riut t’i hiqej dënimi në gjykatën e lartë, pas vendimit të formës së prerë që është dhënë në apel.

Mësohet se së bashku me Çilin dhe me Korbin është arrestuar dhe noterja Shpresa Gjocaj, ku dyshohet se janë kryer kontratat për tokat që babai i Alikos do ia jepte Çilit dhe avokatit Korbi për të ndërhyrë në Gjykatën e Lartë për të zbutur dënimin e përjtshëm të Alikos.

Po ashtu në mesin e të arrestuarve ditën e sotme, është edhe biznesmeni Sait Fishta, i cili ka qenë kandidat për deputet nga radhët e socialistëve në Qarkun e Shkodrës. Fishta është arrestuar dhe më parë nga ana e policisë, për shkak se është akuzuar për ndërtime pa leje në bregdet.