TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Numri dy i qeverisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është paraqitur pasditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme, ku është thirrur nga prokurori Dritan Prençi.
Në momentin e daljes nga SPAK, Balluku është ndalur para mediave për një deklaratë të shkurtër. Balluku deklaroi se SPAK po zhvillon një hetim. Ajo deklaroi se shpreson që ky hetim të jetë i bazuar mbi "transparencën, llogaridhënien dhe parimet e drejtësisë së pandryshueshme".
"Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe zyrtare publike e shoh si një proces, i cili jam shpresëplotë që do të jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe parimet e drejtësisë së pandryshueshme", deklaroi Balluku.
NJOFTIMI I SPAK
SPAK ka reaguar zyrtarisht, ku sqaron arsyet e thirrjes së Ballukut. Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, thuhet se Ballukut i është njoftuar akuza "Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike".
"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00", thuhet në njoftimin e SPAK.
Deklarata e Ballukut:
Momenti i paraqitjes së Ballukut në SPAK: