AKTUALITET, 28 Mars 2022, 11:36

Zjarri në komisariatin e Kamzës/ Komisioni, Çupi: Tragjike, të mbahet përgjegjësi. Hysi: Hetimi do të zgjerohet

Zjarri në komisariatin e Kamzës/ Komisioni, Çupi: Tragjike,

Hetuesit kanë ngritur dyshimet se zjarrvënia në dhomën e paraburgimit në komisariatin nr. 5 në Kamzë është vendosur nga 26 vjeçari që ndërroi jetë, Arben Mici.

Ngjarja e rëndë e ndodhur dy ditë më parë është diskutuar në Komisionin e Ligjeve. Deputetja e PD Dhurata Çupi ka kërkuar që të thirren në komision në lidhje me këtë ngjarje ministri i Brendshëm Blendi Çuçi, avokati i popullit dhe drejtori i policisë.

“Është ngjarje e rëndë. Duhet reflektim dhe të mbajmë përgjegjësi. Unë kërkoj që të kemi informacionin e duhur dhe të vijë para komisionit ministri i brendshëm, avokati i popullit dhe drejtori i policisë.

Një raport i komitetit të Helsinkit ka qenë vetëm për kushtet e komisariatit numër 5 ku kërkon marrjen e masave të menjëhershme. Kamera sigurie etj. Është tragjike humbja e jetës së një riu dhe të marrim masa që të mos ndodhë më”, tha Çupi.

Deputetja Klotilda Bushka tha se po kryhen hetime nga të gjitha palët në lidhje me rastin.

“Është ngjarje e rëndë, shprehim ngushëllimet. Unë jam informuar me rastin, jo vetëm hetim i brendshëm është kryer dhe është duke u zgjeruar por edhe organet e drejtësisë po merren me këtë rast.

Ka raporte të organizatave ndërkombëtare. Këtu nuk kërkohet as emocion e as nxitim por maturitet që çështjet që janë të rëndësishme të adresohen”, shtoi ajo.