AKTUALITET, 2 Mars 2024, 18:49

Zhupa reagon pas deklaratave të Kumbaros: Zonat e mbrojtura do të mbushen me resorte

Zhupa reagon pas deklaratave të Kumbaros: Zonat e mbrojtura do të

Pas deklaratave të ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro se zonat e mbrojtura nuk do të preken, reagon edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Kjo e fundit thekson se  ministrja do të mbushë parqet kombëtare me resorte dhe këtë e quan dritëgjatësi.

Reagimi i plotë i Zhupës:

Pafytyrësia dhe papërgjegjshmëria e një ministre mjedisi që mbron publikisht shkatërrimin e mjedisit! Mirela Kumbaro do mbush zonat e mbrojtura me “pika të vogla” resortesh private, klientësh dhe familjarësh të pushtetit dhe këtë e quan dritëgjatësi!!!! “Të anatemosh ata që investojnë është dritëshkurtësi” shprehet Kumbaroja e ligjit në një intervistë televizive. A thua se po investojnë në tokën e tyre, në biznes privat dhe po anatemohem për këtë?! Ndërkohë që Kumbaro po shkatërron zonat e mbrojtura duke i kthyer praktikisht në toka truall, ku mund të ndërtohen edhe betonizohen. Këto toka do jepen falas për oligarkët, do shndërrohen nga publike në private, duke shkatërruan edhe gjithë mjedisin dhe ekosistemin e veçantë që kanë. Këto qënkan veprime dritëgjata për një ministre?!

Në fakt këto veprime janë kriminale, ligje klienteliste, me porosi që shkatërrojnë shtetit e së drejtës dhe të mirën publike. Projekti i Divjakës është njeri prej shkatërrimeve që është gati, por radhën e ka Shushica, Pishë-Porro, Parku Kombëtar i Butrintit edhe dhjetra pika të tjera. Mirela duhet të dilte në televizione vetëm për të lajmëruar dorëheqjen e saj, nëse do kishte dinjitet, me këtë masakër mjedisore që kanë përgatitur.