AKTUALITET, 2 Mars 2024, 17:17

Fermerët në Dimal drejt falimentit: Monopolet e grumbulluesve i marrin produktet nën kosto

Fermerët në Dimal drejt falimentit: Monopolet e grumbulluesve i marrin

Drenovica dhe Samatica janë dy fshatrat e bashkisë Dimal që njihen gjërësisht në të gjithë Shqipërinë për hektarët e shumtë me sera nga ku eksportohen në të gjithë Europën produktet bujqësore si domatja dhe kastraveci. Thuajse çdo familje në këto fshatra  ka ndërtuar nga një serë dhe shumica e tyre të ardhurat e vetme i kanë nga shitja e produkteve bujqësore. Por tashmë siç pretendojnë edhe vetë fermerët monopoli i krijuar nga disa pika grumbullimi po bën që çmimi i këtyre produkteve të dal nën kosto duke mos mbuluar as shpenzimet e tyre.

Fermeri Mario Bega deklaroi për Euronews se: “Problemi ynë si fermer aktualisht është se për produktin që shihni ju këtu është harxhuar shumë mund, djersë, para edhe sot që dalim në treg ky po shitet nën kosto. Pra ky nuk po mbulon dot veten e vetë lëre pastaj të kemi fitime, kemi familje për të mbajtur”.

Ndërkohë që Tomor Çela, një tjetër fermer tha se situata e krijuar me shitjen e produkteve nën kosto po e çon atë  drejt falimentimit. pasi nuk arrin dot që të shlyej detyrimet që ka marrë për mirëmbajtjen e tokës. “Fatura që marrim ne është qesharake, është një copëz letre që vlen zero, zero  është turp që ne ta marrim me mënd, ne kemi falimentuar dhe unë i pari që flas nuk po arrij dot të shlyej borxhet, të shlyej kredinë”, tha ai.

Agronomi i kësaj zone, Xhoni Hoxha, shprehet se përgjatë kësaj periudhe kastraveci duhet të ishte me një çmim mbi 100 lekë për shkak të kostove që ka, ndërsa i bën thirrje edhe institucioneve përkatëse që të kenë një kontroll të shtuar për pikat e grumbullimit. Sipas tyre çmimi i vendosur për grumbullimin e produkteve bujqësore nga këto pika  po çon drejt falimentimit shumë fermer.

“Jemi Akoma në shkurt edhe sot çmimi nuk duhet te ishe nën 100 lekë, sepse ka kosto ky produkt. Jemi ankuar në institucionet shtetërore përkatëse, por as nuk duan t’ia dinë se çfarë po ndodh, këtu thjesht fermeri po mbahet vetë me djersën e vetë me mundin e vetë”, tha ai. Sipas tij dëmi i shkaktuar nga monopoli i krijuar nga grumbulluesit po prek qindra familje në zonë.