AKTUALITET, 22 Gusht 2025, 14:55

Vrau Besmir Kumrien për një kanal vaditës, gjykata e Fierit merr vendim për autorin

Vrau Besmir Kumrien për një kanal vaditës, gjykata e Fierit merr

Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Xhesion Toromenin, i cili akuzohet se vrau me thike për një kanal vaditës Besmir Kumrien, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 19 gushtit në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Kryekuq të Divjakës.

Ngjarja e rëndë u shënua pas një konflikti që përfundoi me përdorimin e armës së ftohtë. Viktima, 32-vjeçari Besmir Kumria, u godit me thikë dy herë dhe fillimisht mbeti i plagosur rëndë, teksa ndodhej në shoqërinë e miqve të tij. Pavarësisht përpjekjeve të dëshmitarëve për ta ndihmuar, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Autori i dyshuar u largua menjëherë nga vendngjarja, duke përfituar nga errësira, por u arrestua pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se konflikti mes palëve ka pasur rrënjë të hershme, të lidhura me një kanal vaditës në fshat, për të cilin familjet kishin pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme. Megjithatë, motivet konkrete të krimit mbeten ende të paqarta.

Viktima, Besmir Kumria, punonte bashkë me vëllain e tij në zonën e Himarës gjatë muajve të verës, ndërsa Xhesion Toromëni, sipas burimeve, nuk kishte shkelur në Kryekuq prej rreth 7 vitesh.