AKTUALITET, 22 Gusht 2025, 12:18

Berisha rrëfen kujtimet me Ibrahim Rugovën: Krijoi një unitet që Kosova nuk e ka pasur kurrë. Si e binda kryeministrin e Greqisë ta takonte

Berisha rrëfen kujtimet me Ibrahim Rugovën: Krijoi një unitet

Kryetari PD dhe ish kryeministri Sali Berisha ka ndarë kujtime dhe reflektime të thella mbi figurën e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si “një nga figurat më të ndritura të historisë kombëtare shqiptare”.

Në një rrëfim emocional dhe filozofik, Berisha ndalet te zgjedhjet strategjike dhe personaliteti unik i Rugovës, i cili sipas tij solli një epokë të re për shqiptarët në Kosovë.

“Zgjodhi gandizmin në një kohë kur pushka shihej si rruga e vetme. Asnjë shqiptar para tij nuk kishte bërë një zgjedhje të tillë,” tha Berisha në promovimin e librit ‘Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës’

Ai solli në vëmendje edhe një episod diplomatik me ish-kryeministrin grek Konstandin Micotaqis, ku e kishte bindur këtë të fundit të priste Ibrahim Rugovën si president të një populli të robëruar që kërkonte lirinë me paqe dhe vizion.

“Uniteti i paprecedentë” në radhët e shqiptarëve të Kosovës, sipas Berishës, ishte një tjetër arritje madhore e Rugovës.

“Ai arriti të krijojë një unitet që Kosova nuk e ka pasur kurrë më parë – të gjithë ishin bashkë në projektin e tij për pavarësinë,” u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri përmendi edhe vlerësimin ndërkombëtar që mori Rugova nga Parlamenti Europian me Çmimin Saharov, si një shenjë e respektit për përkushtimin e tij ndaj paqes dhe lirisë.

Pjese nga fjala e Berishes

Presidenti Ibrahim Rugova është një nga figurat më të ndritura të historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave.

Dhe natyrisht të flasësh për veprimtarinë e Ibrahim Rugovës, duhet të zgjedhësh planin në të cilin do e trajtosh atë.

Unë nuk do merrem me historinë, por do merrem me disa nga habitë e mëdha të këtij gjeniu të politikës shqiptare.

Më rrafshin filozofik, Ibrahim Rugova është shtetari i habive të mëdha.

Ky pasardhës i një familje atdhetare, i një familje qëndrestare, zgjodhi në krye të radhës jo pushkën, por gandizmin.

Zgjedhje të cilën nuk e kishte bërë ndonjëherë ndonjë shqiptar në histori.

Zgjedhje të cilën ndoshta në Ballkan jo e jo, por edhe në Europë nuk ishte regjistruar.

Dhe me këtë zgjedhje, Ibrahim Rugova zgjodhi çelësin e artë për të hapur çdo derë.

Por edhe mendjet e atyre që e donin dhe nuk e donin.

E atyre që e besonin në projektin e tij dhe e kundërshtonin projektin e tij.

Po e përsëris prapë. Ishte maji i vitit 1992. Në Stamboll, në nismën e Detit të Zi takohem me kryeministrin e Greqisë, Konstandin Micotaqis, një njeri që kishte mbështetur PD në themelimin e saj, por që siç ishte trashëgimia 45-vjeçare e marrëdhënieve, natyrisht kishte edhe problematikat e veta.

Në bisedë e sipër më kërkoi të takoja patriarkun. Jo, i thashë unë, se ne jemi një vend plurireligjioz dhe nuk më shkon mua të bëj vizita përveçse Vatikani që është shtet, tek të tjerat unë respektoj pluralitetin fetar të vendit tim.

Mirë, tha.

Tani, kërkesa ime. Të presësh presidentin Ibrahim Rugova.

Po pse ta pres, më tha. Ta presësh se ai është themeluesi i partisë së parë antikomuniste në Ballkan dhe ti je një antikomunist i njohur.

Ta presësh, i them unë prapë, se ai ka filozofinë e paqes. Ai udhëheq një popull të robëruar, një popull që kështu e ka historinë ai, edhe me luftëra dhe pushtime, por ai ka dalë me mantrën paqësore të zgjidhjes.

I them, e treta, ti nuk mund të injorosh dy milionë shqiptarë aty. Jemi dakord, dakord më tha.

Dhe ky, i ndjerë tani, u bë kryeministri i parë që do priste presidentin Rugova në Selanik.

Habia e dytë e madhe e Ibrahim Rugovës ishte një bashkim i shqiptarëve, i paparë në tërë historinë e tyre.

Në tërë historinë e kombit.

Edhe ato sythe pluraliteti në Kosovën e pushtuar, që të gjitha ishin një mbështetje e presidentit Rugova dhe projektit Rugova.

Pra, arriti të krijojë një unitetit që Kosova kurrë nuk e ka pasur.

Dhe ky ishte një unitet në projektin e tij, në projektin e pavarësisë së Kosovës, Kosovës së lirë dhe të pavarur.

Rugova, në këtë projekt, kaloi nga një kancelari në një tjetër, nga një institucion në një tjetër, por me civilitetin dhe gandizmin e tij, ai do vlerësohej nga Parlamenti Europian me çmimin e madh të Saharov.

Kjo ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës.

Një njeri i civilizuar me një kulturë të gjerë, që fliste shumë më pak për politikë se sa për universin kulturor. Ibrahim Rugova bënte për vete të gjithë bashkëbiseduesit, përveçse tek politikanët që nuk binin dakord me projektin e pavarësisë së Kosovës, çka për atë nuk përbënte asnjë lloj obligimi për t’u tërhequr, sepse e ka përshkruar në mënyrën më të shkëlqyer Madlen Ollbrajt, kur thotë se Dhomën Ovale, i thotë presidenti Klinton, që donte ta ndihmonte: Ibrahim, tani atë pavarësinë e kam të pamundur, por kërko diçka tjetër dhe unë jam i gatshëm ta realizoj.

Ibrahimi rri, mendon dhe mendon dhe thotë: president, vetëm pavarësia zgjidh problemin.

Klintoni qeshi.