AKTUALITET, 27 Maj 2022, 18:26

Vrasja në Elbasan para 25 Prillit/ Gazment Bardhi i përgjigjet Berishës: Me shpifje nuk mbulon dot të vërtetën, roli im ka qenë…

Vrasja në Elbasan para 25 Prillit/ Gazment Bardhi i përgjigjet

Gazment Bardhi i është përgjigjur kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha pasi ky i fundit e akuzoi ditën e sotme në konferencë për shtyp në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Elbasan para 25 Prillit, ku mbeti i vrarë një person.

Bardhi shprehet se shpifja është i vetmi mjet që i ka mbetur Sali Berishës për të bërë politikë. Ai thekson se roli i tij në Elbasan ka qenë “dyfishimi i mandateve për PD nga 3 në 6 mandate përballë terrorit të bandave të pushtetit, që sot janë në ortakëri me Sali Berishën”.

“Shpifja është i vetmi mjet që i ka mbetur Sali Berishës për të bërë politikë. Ai e di shumë mirë se roli im në Elbasan ka qenë dyfishimi i mandateve për PD nga 3 në 6 mandate përballë terrorit të bandave të pushtetit, që sot janë në ortakëri me Sali Berishën.

Sot e kësaj dite nuk ka asnjë deklaratë të SB për t’u distancuar nga ndërhyrja e bandave të Elbasanit në punët e Foltores. Me shpifje as nuk mbulon dot të vërtetën, as nuk shkon dot larg”, shkruan Bardhi.

Sot, Berisha akuzoi Gazment Bardhin si “përgjegjës direkt politik”, për vrasjen e ndodhur në Elbasan para zgjedhjeve të 25 prillit. Ai i bëri thirrje Bardhit, të zbardhë rolin e tij në këtë ngjarje.