AKTUALITET, 26 Shkurt 2022, 17:06

Vrasja e kamarierit në Elbasan pas sherrit për tavolinën, arrestohet 34-vjeçari i shpallur në kërkim

Vrasja e kamarierit në Elbasan pas sherrit për tavolinën,

Policia e Maliqit ka arrestuar një 34-vjeçar të shpallur në kërkim pasi rezulton të jetë bashkëpunëtor në vrasjen e Gazment Kurmakut, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit të kaluar.

Sipas policisë, në pranga ka rënë shtetasi me iniciale L.D., banues në fshatin Vloçisht të Maliqit. Mësohet se në bashkëpunim me shtetasin Erjon Llapushi, kanë goditur me grushte e sende të forta kamarierin Gazment Kurmaku në një lokal në Labinot të Elbasanit.

Sherri mes tyre ka nisur pasi Kurmaku i tha Erjon Llapushit se tavolina ku ishte ulur si klient ky i fundit ishte e rezervuar.

Në sherr e sipër, 50-vjeçari u përplas me kokë në një pjesë betoni, duke përfunduar në vdekje klinike. Kurmaku ndërroi jetë disa ditë pas sherrit në Spitalin e Traumës në Tiranë ku u transferuar natën e ngjarjes.

NJOFTIMI

Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 02.10.2021, në një lokal në fshatin Labinot Fushë, Elbasan, ku mbeti i vrarë shtetasi G.K.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë dhe Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, bënë të mundur ndalimin e shtetasit në kërkim L. D., 34 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 07.10.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 02.10.2021, në fshatin Labinot Fushë, Elbasan, ku në ambientet e një lokali, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Ll., 33 vjeç, ka goditur me grushte dhe sende të forta shtetasin G. K., i cili për pasojë gjeti vdekjen.

Veprimet e mëtejshme në lidhje me këtë rast, do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.