AKTUALITET, 23 Dhjetor 2023, 19:28

Vrasja e italianes nga shqiptari, zbulohet dhe një person i dytë që përndoqi të renë

Vrasja e italianes nga shqiptari, zbulohet dhe një person i dytë

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 26-vjeçares italiane Vanessa Ballan, e cila u masakrua me thikë nga 41-vjeçari shqiptar nga Kosova, Bujar Fandaj. Në vitin 2021, Vanessa ishte përndjekur nga një burrë tjetër, të cilin e kishte takuar disa muaj para Fandajt. Edhe në atë rast kishte pasur mesazhe kërcënuese, ngacmime para supermarketit ku punonte dhe telefonata këmbëngulëse.

26-vjeçarja kishte bërë denoncim dhe në atë rast. Mësohet se prokuroria kishte hapur një çështje dhe e kishte dërguar në gjyq personin në fjalë. Por në seancat e para të gjyqit Vanessa Ballan tërhoqi denoncimin dhe çështja u mbyll.

Një denoncim të ngjashëm Vanessa e bëri dhe për Bujar Fandaj, më 25 tetor të këtij viti, e shoqëruar në komisariat dhe nga bashkëshorti i saj Nicola Scapinello. Ministri i Drejtësisë në Itali, Carlo Nordio u kërkoi zyrave kompetente të Dikasterit të merrnin një raport të detajuar dhe të hetonin pse nuk ishte vepruar në rastin e denoncimit të përndjekjes së dytë.