AKTUALITET, 7 Janar 2024, 15:19

Vrasja e dy policëve në Krujë, Dritan Rexhepi humb betejën gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese

Vrasja e dy policëve në Krujë, Dritan Rexhepi humb betejën

Gati një muaj pasi u vu në pranga në Stamboll, Turqi, Dritan Rexhepi, i lakuari si “mbreti shqiptar i kokainës”, ka humbur një betejë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese në Tiranë.

Rexhepi kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të 27 nëntor 2020, që kishte lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg dhënë ndaj tij nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e “vrasjes me paramendim”.

Vendimi i dhënë më 11 dhjetor 2023, lidhet me fajësinë e 43-vjeçarit për vrasjen e policit Durim Kasmi në vitin 1999 në qendër të Krujës dhe plagosjen e Ramazan Bakiut, me pasojë vdekjen disa ditë më pas.

Më 22 nëntor, vendi ynë ka përcjellë në Turqi kërkesën për ekstradimin e Dritan Rexhepit, pas arrestimit të tij në Stamboll më 10 nëntor 2023. Krahas Shqipërisë, në garë për ekstradimin e Dritan Rexhepit është edhe drejtësia Italiane, pasi gjykata e Firences e ka dënuar më 20 vjet burg për akuzën e trafikimit të kokainës nga Ekuadori në vendin fqinj. Në këtë mënyrë, dënimi më i rëndë për personazhin e konsideruar si bos i trafikut ndërkombëtar të kokainës, rezulton të jetë dhënë nga Shqipëria.

Megjithatë do të jenë autoritetet turke që do të shqyrtojë kërkesat për ekstradim dhe do të përcaktojnë shtetin të cilit do t`ia dorëzojnë të shumëkërkuarin.

Vendimi i 11 dhjetorit 2023 i Gjykatës Kushtetuese, që lë në fuqi dënimin me 25 vjet burg ndaj Gramoz Rexhepit, ka ardhur pas një kalvari të gjatë që i ka kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar. I pandehuri që u gjykua në mungesë pasi u arratis nga policia e Durrësit në vitin 2007 dhe humbi gjurmët, ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm më 20 shkurt 2009, por si pasojë e ankimimit nga avokatët, çështja u kthye për rigjykim.

Pasi ri-shqyrtoi dosjen, gjykata e krimeve të rënda vendosi dënimin e Gramoz Rexhepit më 25 vjet heqje lirie në mungesë. Edhe pse në kërkim, bosi i trafikut të drogës e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit, në Gjykatën e Lartë e madje edhe në Kushtetuese.

Në vendimin e saj të parë, trupa gjykuese e ktheu çështjen për rigjykim në Gjykatën e Lartë por pasi rekursi nuk u pranua aty, dosja kaloi sërish në Kushtetuese ku më 13 dhjetor 2023, u la në fuqi dënimi me 25 vjet burg. Sipas prokurorisë, vrasjen e policit Durim Kasmi, Dritan Rexhepi e kreu për hakmarrje pasi efektivi kishte goditur një nga miqtë e tij i cili kishte xhiruar gomat e makinës para komisariatit të policisë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Rrethanat e çështjes

1. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pas përfundimit të hetimeve paraprake, ka dërguar për gjykim çështjen penale nr. 13 të vitit 2006 në ngarkim të të tre të pandehurve, konkretisht kërkuesit Dritan (Gramoz) Rexhepi (Rexhepaj) dhe shtetasve Sh.S. e S.H., për akuzën e kryerjes së veprave penale “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, në bashkëpunim, “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, të parashikuara nga nenet 79/c-25, 79/c-25, 76-25 dhe 278/2 të Kodit Penal (KP).

2. Pas shqyrtimit të çështjes, me vendimin nr. 13, datë 20.02.2009, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ndër të tjera, ka vendosur deklarimin fajtor të kërkuesit për veprat penale për të cilat akuzohej, duke e dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm. Pas ankimimit të tij nga tre të pandehurit dhe Prokuroria për Krime të Rënda, ky vendim është prishur dhe çështja është kthyer për rigjykim me vendimin nr. 30, datë 28.05.2009 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila ka konstatuar se në gjykimin në shkallë të parë ishin lejuar shkelje të rënda procedurale lidhur me njoftimin e kërkuesit dhe zhvillimin e gjykimit në mungesë të tij.Me vendimin nr. 00-2009-194 (465), datë 25.09.2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga Prokuroria.

3. Në rigjykimin e çështjes, ndërsa kërkuesi nuk ka qenë i pranishëm, gjykata e shkallës së parë ka bërë ndarjen e procedimit penal. Fillimisht është gjykuar çështja penale në ngarkim të shtetasve Sh.S. dhe S.H., të cilët, me vendimin nr. 53, datë 29.12.2010, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda i ka deklaruar fajtorë dhe dënuar me burgim. Mbi
ankimin e tyre, me vendimin nr. 33, datë 31.05.2011, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe ka pushuar çështjen penale, me arsyetimin se nuk vërtetohej fajësia e tyre për veprat penale që akuzoheshin. Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs Prokuroria, për të cilin, me vendimin nr. 00-2012-1543, datë
06.12.2012, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin.

4. Në lidhje me çështjen penale në ngarkim të kërkuesit, rigjykimi është zhvilluar në mungesë të tij dhe në prani të një mbrojtësi të caktuar kryesisht. Me vendimin nr. 51, datë 06.06.2013, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur deklarimin e tij fajtor për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje me pasojë vdekjen” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, dhe në bazë të neneve 78-25, 88/2-25 dhe 278/2 të KP-së, sipas përmbajtjes së tyre në kohën e kryerjes së veprave penale, si dhe të nenit 55 të këtij kodi, e ka dënuar përfundimisht me 25 vjet burgim. Kundër këtij vendimi kanë ushtruar ankim prokurori i
çështjes dhe mbrojtësi i kërkuesit.