AKTUALITET, 20 Maj 2023, 12:57

Vrasja e 15-vjeçarit Fation Bici, gjykata jep masën e sigurisë për 4 adoleshentët

Vrasja e 15-vjeçarit Fation Bici, gjykata jep masën e sigurisë
Gjykata e Elbasanit

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 adoleshentët, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin vranë 15-vjeçarin Fation Bici.

Të miturit me iniciale Xh. Ç., 15 vjeç, O. Ç, 14 vjeç, E. K., 15 vjeç dhe S. M., 16 vjeç, dyshohet se pas një konflikti goditën me thikë viktimën dhe kushëritin e tij, 15-vjeçarin Marko Liçi.

Ky i fundit u dërgua në spital dhe arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra. Krimi i rëndë ndodhi mesditën e 16 majit.

Dëshmia

Njëri prej të pranishmëve në ngjarje, tregoi detaje rreth ngjarjes së ndodhur. Ai ka deklaruar pas krimit se autori e goditi me thikë Fationi Bicin, pasi ky i fundit goditi me grusht në fytyrë.

“Në momentin që ndodhi ngjarja Fatjoni dhe ai djali gjysmë metri nga Cerunja (E.K) ishin përballë njëri-tjetrit dhe Fationi i ka thënë ‘hiqe thikën, pse e mban në atë mënyrë’.

Fationi e ka pyetur nëse ka pasur një vëlla më të madh dhe i kërkoi një numër të vëllait, por ai nuk ja dha. Fatjoni i tha sërish mbylle thikën. Pasi qëndruan për pak minuta përballë njëri-tjetrit dhe shkëmbyen fjalë, Fationi e goditi me grusht në fytyrë. Ai djali i Cerunjës, hapi thikën dhe ja nguli në gjoks Fationit.

U afrua edhe Marko Liçi për t’i ndarë, por ai e goditi edhe Markon me thikë në shpatull. Fationi u largua me vrap për nga poshtë, andej nga dyqani ku kishin marrë akullore më herët, por u rrëzua në tokë dhe aty u bë pellg me gjak”, ka dëshmuar në polici njëri prej të pranishmëve në ngjarje.