AKTUALITET, 11 Janar 2022, 21:16

Video e prokurorisë për grupin e “të fortëve” të Bashës/ Florenc Hoxha: Nuk u bë brenda PD

Video e prokurorisë për grupin e “të fortëve”

Në dosjen hetimore të prokurorisë së Tiranës me akuzat dhe dëshmitë e personave të arrestuar për protestën e dhunshme të 8 janarit në selinë e PD-së ka detaje për 34 persona.

Sipas kësaj dosjeje në datë 6 janar në komisariatin dixhital ka mbërritur një mesazh që deklaronte se kishte persona të armatosur brenda PD-së dhe kërkohej ndërhyrje për t’i bllokuar, pasi protesta ishte në prag.

Fotoja qarkulloi më pas edhe në rrjetet sociale, ku PD-ja zyrtare e mohoi, por grupi i Berishës akuzoi se ishin të rekrutuar nga Lulzim Basha.

“Ka persona të armatosur në PD. Tetë persona të veshur me maska dhe me armë” – thuhej në mesazhin e dërguar në komisariatin dixhital nga një person anonim.

Video e prokurorisë për grupin e “të fortëve”

Komisariati nr. 1 në Tiranë nisi hetimin pas sinjalizimit. Agjentët mësohet se kanë monitoruar situatën nga bulevardi përballë selisë blu dhe kanë identifikuar sanitaren e godinës së PD-së me inicialet D.Xh. dhe një tjetër person R.K. Sipas raportit të agjentëve “personat që ishin në foto të maskuar nuk ishin të armatosur”.

Gjithashtu, sipas raportit të referuar në prokurori është konstatuar edhe një tjetër foto e një grupi me 10 persona që qëndronin në një godinë, mes tyre ish-drejtori i policisë bashkiake në kohën e Lulzim Bashës, Florenc Hoxha.

“Ata shfaqen në një video në një dhomë me meze dhe duke luajtur në një instrument muzikor” – thuhet në dosje.

Pas publikimit të kësaj pjese nga dosja ka reaguar ish-kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha. Ai thotë se fotoja është e vjetër dhe nuk ka lidhje me situatën në PD.

“Ky polici dixhital, qenka si qytetari dixhital i Saliut. Paska marrë videon e 1 viti më parë dhe nga oda e burrave ne shtepine time ku kam festuar e paska vendosur në PD.

Ah, se desh harrova: Këtë videon me aheng e këngë e kam ripostuar për qejfin tim dhe me sa duket komisariati digjital paska dëgjuar jehonën e këngës që para një viti. Sa keq kur polici digjital bëhet po aq i mjerë sa qytetari digjital i Saliut dhe tallen dhe me prokurorinë????” – ironizon Hoxha.