AKTUALITET, 28 Qershor 2026, 21:27

VIDEO/ Dita e 29-të e tubimit para Kryeministrisë, protestuesit-Ramës: Nuk përçahemi. Kryebashkiakja shqiptare: 13 vite, fasadë

VIDEO/ Dita e 29-të e tubimit para Kryeministrisë,

Protestuesit u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, ku më tej nisën marshimin drejt Kryeministrisë.

Një prej nismëtarëve të kësaj proteste, u bëri thirrje qytetarëve duke thënë: “Mes nesh ka patronazhistë që duan të nxisin dhunë. Mos bini pre e provokimeve. Mos përdorni bilbila se shqetësoni gratë me fëmijë”.

Gjatë fjalës së tyre në protestë, ata i bënë thirrje Kryeministrit duke thënë: “Të gënjen mendja nëse mendon se po përçahemi”.

Thirrja ndaj Ramës për zbatimin e 5 kërkesa të protestuesve u përsërit edhe në këtë tubim. Kësaj radhe, kërkesat u cituan nga Andi Tepelena, i njohur si një prej organizatorëve të 29 protestave të zhvilluara deri më sot në kryeqytet. 

Gjatë tubimit, fjalën e mori edhe Sindi Manushi, kryetare e bashkisë në Pieve di Cadore, në zonën Belluno të Italisë, e cila tha se kishte ardhur në protestë si shqiptare dhe jo si përfaqësuese e një institucioni italian.

Manushi, kryebashkiakja e parë shqiptare në Itali, falënderoi protestuesit për durimin dhe guximin e treguar, duke e cilësuar qëndresën e tyre si një moment të rëndësishëm për vendin. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë organizimin e tyre.

“Këtu nuk kam ardhur si institucion italian, nuk kam ardhur si eurodeputetët që vijnë këtu të shtyrë nga kurioziteti. Unë jam njëra prej jush, jam shqiptare, kjo është shtëpia ime dhe ju jeni njerëzit e mi. Të më falni nëse më dridhet zëri nga emocionet, por erdha enkas vetëm për një ditë e gjysmë. Erdha vetëm për t’ju falënderuar për durimin dhe guximin që keni treguar. Shqipëri e re! Shqipëri e re! Shqipëri e re! Ju, të dashur bashkëkombas, në shumë pak ditë arritët të shqyeni vellon e hipokrizisë që Edi Rama ka qëndisur.

Edi Rama e nisi karrierën e tij duke i marrë me fasadat e pallateve dhe e vazhdoi duke u marrë me fasada dhe propagandë, por kundër propagandës së Ramës është realiteti shqiptar. Ju jeni realiteti shqiptar, ju jeni e vërteta. U erdhi fundi. Unë kam një kërkesë për ju, një lutje: mos u dorëzoni, mos u dorëzoni, organizohuni në shesh, në institucione, në lëvizje, në kolektive. Sepse boshllëkun që lënë partitë e kalbura në Parlament do ta zëvendësoni ju. Mos kini frikë nga politika, vendi është i juaji. E gënjen mendja Edi Ramën se do të shkrihet kjo protestë dhe do të përçahemi.

E gënjen mendja, sepse këtu na ka, këtu do të na ketë. Ta dini se ju jeni edhe përfaqësuesit, keni nderin dhe përgjegjësinë të përfaqësoni edhe njerëzit që nuk mund të vijnë këtu, por edhe zëri i tyre do të dëgjohet me anë të votës. Kjo do të ndodhë shumë shpejt. E gënjen mendja Edi Ramën që ne do të përfundojmë, kur është ai në fund, në ngrysjen e karrierës së tij, ne jemi vetëm në fillim. Ky është fillim i ri. Kjo është Shqipëri e re. Ju jeni fati i Shqipërisë, jeni e ardhmja. Faleminderit që ekzistoni, ju dua shumë",- tha Manushi.