TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën që prej 21 qershorit ka shkaktuar mbi 1,300 viktima, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Lajmi u bë i ditur nga drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili theksoi se miliona qytetarë vijojnë të përballen me temperatura të rrezikshme.
Sipas tij, rreth 150 milionë njerëz jetojnë aktualisht në kushte të vape ekstreme, ndërsa përveç humbjeve të jetës, temperaturat e larta kanë detyruar mbylljen e shkollave dhe kanë vënë nën presion të madh rrjetet energjetike.
“Më shumë se 1,300 vdekje të tjera janë regjistruar që nga 21 qershori në lidhje me temperaturat e larta në Evropë. Tani për tani, 150 milionë njerëz jetojnë në vapë ekstreme, qindra njerëz kanë vdekur, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet elektrike janë nën presion të rëndë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së në një postim në X.
Në të njëjtën kohë, disa vende po përballen edhe me stuhi të forta. Në Francë, autoritetet raportojnë rreth 1,000 viktima të lidhura me valën e të nxehtit. Megjithëse temperaturat kanë nisur të bien, alarmi i kuq mbetet në fuqi në dy departamente lindore dhe pritet të hiqet gjatë mbrëmjes. Ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, paralajmëroi se pasojat e temperaturave ekstreme mund të vazhdojnë deri në 10 ditë edhe pasi moti të freskohet. Ndërkohë, stuhitë e mbrëmjes së kaluar lanë pa energji elektrike rreth 36 mijë familje në veri dhe qendër të vendit.
Edhe Republika Çeke regjistroi një rekord historik, me 41.1 gradë Celsius në Doksany, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në rrjetin zyrtar meteorologjik të vendit. Autoritetet paralajmëruan se temperaturat ishin ende në rritje në momentin e matjes.
Një rekord i ri u shënua edhe në Gjermani, ku në Köschen të Brandenburgut termometri arriti në 41.7 gradë Celsius. Në Berlin, policia po përdor sërish topa uji për të freskuar qytetarët, ndërsa në disa rajone u reduktuan shërbimet hekurudhore dhe u pezullua qarkullimi i tramvajeve për shkak të temperaturave të larta.
Në Romë, Papa Leo falënderoi besimtarët që morën pjesë në lutjen e së dielës në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht vapës përvëluese. Meteorologët parashikojnë që gjatë ditëve në vijim temperaturat të ulen në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, ndërsa vala e të nxehtit pritet të zhvendoset drejt Evropës Qendrore dhe Ballkanit. Në Gjermani, ndërkohë, priten stuhi gjatë ditës së nesërme ose pasnesër.