AKTUALITET, 28 Qershor 2026, 18:36

'Akt i papërgjegjshëm'/ Zjarri në Parkun Arkeologjik të Bylisit, Gonxhja: Autorët duhet të përballen me ligjin

'Akt i papërgjegjshëm'/ Zjarri në Parkun Arkeologjik

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjitha strukturat operacionale që u angazhuan në shuarjen e zjarrit dhe mbrojtjen e Parkut Arkeologjik të Bylisit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri vlerësoi reagimin e menjëhershëm dhe koordinimin ndërinstitucional, të cilët shmangën një katastrofë për një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend.

Sipas ministrit, puna për shuarjen përfundimtare të vatrës së zjarrit vijon, ndërkohë që ai bëri thirrje për një qasje serioze ndaj mbrojtjes së pasurive kombëtare.

Ministri Gonxhja veçoi përkushtimin dhe sakrificën e efektivëve që operuan në terren në kushte të vështira:

“Mirënjohje për efektivët e shërbimeve zjarrfikëse të Mallakastrës, Roskovecit dhe Albpetrolit, për punonjësit e Parkut Arkeologjik Bylis, për Prefekturën Fier, Bashkinë Mallakastër, Ministrinë e Mbrojtjes për mbështetjen ajrore, si dhe për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Emergjencave Civile që kontribuan në mbrojtjen e parkut.”

Duke e cilësuar trashëgiminë kulturore si një pasuri të çmuar kombëtare, ministri theksoi se mbrojtja e saj nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por një përgjegjësi kolektive. Ai dërgoi një mesazh të qartë për çdo person që rrezikon monumentet dhe natyrën me akte të tilla:

“Çdo akt i papërgjegjshëm që rrezikon monumentet, natyrën dhe sigurinë e komunitetit duhet të marrë përgjigjen që parashikon ligji. Bylisi u mbrojt falë përkushtimit dhe sakrificës së shumë njerëzve. Respekt!”

Ndërhyrja në Bylis është vlerësuar si një provë e rëndësishme e gatishmërisë së strukturave të emergjencave, të cilat në sezonin e verës përballen me një fluks të lartë rreziku nga zjarret në zona të ndjeshme turistike dhe historike.

Një sipërfaqe prej disa hektarësh me shkurre dhe ullinj është përfshirë nga flakët në fshatin Hekal të Mallakastrës.

Zjarri u shfaq rreth orës 09:00 të mëngjesit. Edhe pse vatra fillestare u vu nën kontroll nga forcat zjarrfikëse të Ballshit, era e fortë bëri që flakët të riaktivizoheshin rreth mesditës.

Në vendngjarje ndërhynë sërish zjarrfikësit e Mallakastrës, të mbështetur edhe nga repartet zjarrfikëse të Fierit, të cilët rinisën operacionin për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Për shkak të afërsisë së vatrës me territorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, në operacion u angazhuan edhe mjete ajrore për të ndihmuar në neutralizimin e flakëve.

Zjarri është shuar, por ekipet zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë zonën për të parandaluar riaktivizimin e vatrave, pasi era e fortë mund të favorizojë përhapjen e flakëve, veçanërisht gjatë orëve të natës.